Kryetraja e Lëvizjes Socialiste për Integrim vazhdon të qëndrojë tek Teatri Kombëtar. Kryemadhi ashtu si mbrëmë mbajti një fjalim përpara protestuesve.
Kryemadhi tha se qeveria në qoftë se kërkon të ndërtojë një teatër të ri le ta ndërtojë diku tjetër dhe Teatri Kombëtar ekzistues të qëndrojë të jetë një histori. “Po të duan le të ndërtojnë një teatër të ri, aty e kanë piramindën, kanë hapësira të tjera publike sa të duan që ta ndërtojnë. Ky teatër le të vazhdojë të qëndrojë, le të jetë histori, le të jetë ajo që duhet, le të jetë një mundësi për të treguar që lutjet e besimtarëve në Shqipëri, kudo që janë zoti ua ka pranuar që të bëjë Edi Ramën që të tërhiqet nga gjithë kjo çmenduri e madhe”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI tha gjithashtu se kjo nuk është një betejë politike, por një betejë për historinë dhe trashëgiminë. “Ne do të jemi këtu dhe sigurisht pastaj që beteja jonë këtu nuk është betejë politike, është betejë për trashëgiminë, është betejë për kulturën, është betejë për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse në fund të fundit kjo godinë sado e vjetër të jetë, është si puna e verës, sa më e vjetër të jetë aq më e mirë është”, shtoi Kryemadhi.