Mjekët francezë debatuan të premten me Presidentin Emmanuel Macron në një ndër spitalet kryesore të Parisit, duke i kërkuar më shumë investime dhe një rishikim të sistemit të shëndetit publik të vendit që e gjeti veten të gjunjëzuar nga dhjetëra e mijëra pacientë me koronavirus.
Macron pranoi gabimet në reformimin e sistemit kombëtar të spitaleve, i cili është përballur me ulje të investimeve, duke i lënë ambiente mjekësore të një nga vendeve më të pasura në botë pa staf, maska dhe aspiratotë frymëmarrjeje që janë të nevojshme për të luftuar krizën e virusit.
“Për muaj me radhë po kërkoja pajisje dhe ne kishim mjaftueshëm vetëm për tre ditë për të luftuar virusin,”i tha presidentit francez, kreu i rrjetit spitalor në Paris, Martin Hirsch .
Problemet e spitaleve franceze e parashikuan prej kohësh krizën e virusit, dhe punëtorët e urgjencës mbajtën greva dhe protesta për muaj me rradhë vitin e kaluar duke kërkuar më shumë fonde. Qeveria e Macron njoftoi një plan vitin e kaluar për të adresuar shqetësimet në rritje dhe akordoi fonde shtesë kur virusi goditi, por Macron pranoi të premten: “Ne padyshim kemi bërë një gabim në strategji.” “Ishte një strategji e shkëlqyeshme, por ne duhet ta kishim bërë atë 10 vjet më parë,” i tha ai stafit të irrituar në Spitalin Pitié-Salpetrière. Macron premtoi të nisë një plan të ri investimesh ndërsa kriza e virusit është ende e egër, por pa ofruar detaje. “Besimi do të vijë vetëm nëse lëvizim shpejt,” tha ai.
“Ne nuk mund të kthehemi si më parë”
Teksa ishte ulur rreth tryezës me mjekët specialist, pritja ishte e ashpër dhe me debate. “Ne nuk mund të kthehemi atje ku ishim më parë,” tha Thomas Similowski, kreu i komisionit mjekësor të spitaleve, duke bërë thirrje për një rishikim të trajnimeve mjekësore, paga më të larta, dhe më shumë fleksibilitet për t’u marrë me kërcënimet e reja.
Spitalet “nuk kanë nevojë për medalje, ata kanë nevojë për fonde”, tha grupi i Collectif inter-hôpitaux të enjten.
Autoritetet franceze thonë se më shumë se 27,000 njerëz kanë vdekur nga virusi në spitale dhe azile pleqsh, krahasuar me rreth 7,000 në Gjermaninë fqinje. France 24