Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogu më Serbinë, i nisur më 2010, nuk ka prodhuar rezultate, të cilat janë në frymën e shpalljes së Kosovës së pavarur, transmeton Klan Kosova.
Osmani gjatë ditës së stome morri pjesë në një telekonferencë me akterë të ndryshëm politik dhe analistë, të organizuar nga Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut (ISHR), i cili është pjesë e Columbia University në ShBA.
Në këtë telekonferencë është diskutuar për aspekte politike nga situata aktuale, siç është tarifa ndaj Serbisë, dialogu dhe reciprociteti.
“Mënyra se si dialogu është formësuar dhe udhëhequr, dhe ajo çfarë ka prodhuar ai, nuk kanë qenë në linjë me atë se çka kanë qenë synimet e atyre që e kanë shpallur pavarësinë, dhe sigurisht nuk ka qenë në linjë me konceptet rreth shpalljes së pavarësisë, e që është vullneti i popullit”.
Sipas saj, formati aktual i dialogut synon t`ia bëj qejfin Serbisë.
“Pra, për një kohë të gjatë unë kam insistuar që ne duhet ta ndryshojmë atë mënyrë pasi që nëse ne vazhdojmë ashtu, do të përfundojmë duke e gjymtuar Kosovën jo vetëm në terma territorial por po ashtu edhe në raport me sovranitetin e saj dhe kapacitetet e saj për tu zhvilluar dhe për të qëndruar në këmbë të saj si vend i pavarur dhe sovran”.
“Ajo çfarë ne kemi thënë vazhdimisht është që ne kthehemi në tavolinën e dialogut nëse 1) të dy palët trajtohen si të barabarta, dhe 2) çështjet që ndërlidhen me integritetin territorial, sovranitetin, dhe rregullin kushtetues, nuk diskutohen, pasi që, nëse e gjithë ajo vendoset në tavolinë, dhe përdoret për të arritur një kompromis, atëherë do të na dërgojë tek situata para shpalljes së pavarësisë, gjë që nuk do të ishte e pranueshme për qytetarët e Kosovës”.
“Unë vij nga Mitrovica, dhe nëse shkon dhe flet me qytetarët aty, në cilëndo pjesë, veriore apo jugore, dhe i pyet ata se sa shumë kanë ndikuar këto marrëveshje në jetën e tyre, ju do të merrni shumë pak përgjigje pozitive nga ta”.
Ajo ka thënë se dialogu ka nevojë për parime udhëheqëse që bazohen në stabilitetin e regjionit.
“Ne e dimë se kjo çështje do të hapë kutinë e Pandorës dhe tani ka shumë zëra të ndryshëm të cilët po thonë se ne nuk do ta ndajmë krejt territorin deri tek pjesa e urës së Lumit të Ibrit, por do ta ndajmë diku tjetër më lartë, ne veç do të marrim disa pjesë të Leposaviçit dhe Zubin Potokut, por e gjithë kjo është e njëjtë pasi që ju po e hapni kutinë. Dhe kur e hapë atë, ju kurrë s’mund ta dini se ku përfundon”.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se në fund të kësaj telekoference, Osmani ka kundërshtuar fuqishëm idenë e ndryshimit të kufijve.
“Unë jam kategorikisht kundër çdo lloj ndryshimi territorial. Në anën tjetër, sa i përket reciprocitetit – ky është një princip i cili ka një kuptim shumë të thjeshtë: është barazia. Çdo shtet i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës, bazuar në principin se Kosova është vend sovran, duhet të besojë në të njëjtën kohë në principin e barazisë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Osmani.