Presidenti Ilir Meta ashtu siç u njoftua dje zhvilloi sot takimin me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, i cili përfundoi pak më parë.
Në një njoftim nga Presidenca mësohet se Meta i falenderoi për angazhimin dhe propozimet e tyre për tejkalimin sa më parë të situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19.
“Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane.
Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, thuhet në njoftim.
Meta gjithashtu njohu drejtuesit e opozitës për përpjekjen dhe propozimin prej tij të një platforme prej 11 pikash për integrimin europian. Platofrma ka dy shtylla: Drejtësia dhe integrimi. Me këtë plaftormë prej 11 pikash janë njohur edhe ndërkombëtarët.
Ndërkohë mësohet se pak më parë ka mbaruar dhe një takim i ambasadores amerikane Yuri Kim dhe atij gjerman Peter Zingraf me këshilltarët e presidentit Meta./TCH/