Futbollistët e Kosovës megjithatë do të testohen për koronavirus para se edicioni të vazhdojë.
Këtë e ka bërë të ditur të enjten Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). FFK-ja ka thënë se është në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe se shumë shpejt do të fillojë testimi i të gjithë futbollistëve dhe stafeve të klubeve të Superligës për COVID – 19.
Ky vendim vjen pas presionit publik që është bërë për të testuar lojtarët, sidomos pasi një lojtar i Dritës së Gjilanit doli pozitiv në testimin për koronavirus.
“Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i IKSHPK-së, prof. dr. Naser Ramadani, me kërkesë të FFK-së, i kanë ndërmarrë të gjitha masat për t’i siguruar testet e nevojshme për futbollistët dhe stafin e klubeve dhe tashmë janë krijuar edhe ekipet mjekësore të cilat do t’i kryejnë testimet tek futbollistët në çdo klub. Andaj, FFK-ja kërkon nga futbollistët që të jenë të qetë dhe të vazhdojnë punën pa panik me udhëzimet e parapara nga IKSHPK, me shpresë dhe besim se i gjithë procesi i testimit do të kalojë mirë dhe asnjë prej futbollistëve nuk do të rezultojë pozitiv në Covid-19”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Federata më e madhe sportive në vend ka pranuar se ka reagime “pa sens dhe pa dijeni”.
“Me këtë rast kërkojmë nga të gjithë ata të cilët po reagojnë pa sens dhe pa dijeni, që të kenë kujdes për pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të zbatojnë në përpikëri udhëzuesin dhe protokollin higjieno-sanitar për stërvitje të dërguar nga FFK dhe t’u krijojnë sa më shumë lehtësira dhe siguri futbollistëve në këtë periudhë”.