Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, zAlbin Kurti, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, njofton zyra e kryeministrit.
“Në fillim, ata diskutuan mbi situatën me COVID-19 në Kosovë dhe Shqipëri, veprimet që dy vendet kanë marrë në parandalimin e përhapjes dhe menaxhimin e infeksioneve të shkaktuar nga virusi Corona, dhe bashkëpunimin që kanë pasur gjatë ballafaqimit me pandeminë. Kryeminstri në detyrë Kurti e njoftoi Presidentin Meta për vendimet e fundit për lehtësimin e masave dhe rihapjen graduale të ekonomisë”, thuhet në njoftim.
Ata kanë diskutuar edhe për nevojën e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Tutje, gjatë bisedës u diskutua për rëndësinë dhe nevojën për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve në rrafshin tregtar dhe ekonomik, por edhe bashkëpunimin në nivel rajon dhe ndërkombëtar me qëllim përfaqësimin, promovimin dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta.Në fund, të dy shprehën zotimin dhe gatishmërinë për të pasur komunikim të vazhdueshëm në shërbim të zhvillimit, forcimit dhe avancimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e zyrës.