Bayern Munichu arriti të fitojë në një ndeshje argëtuese me shtatë gola kundër Eintracht Frankfurtit, duke e përforcuar kështu pozitën si lider i Bundesligës para derbit të mesjavës kundër Borussia Dortmundit.
Skuadra e Hansi Flick e vazhdoi superformën në Allianz Arena, duke e siguruar një fitore mbresëlënëse 5:2, përderisa e dominoi ndeshjen me gjithsej 21 goditje drejt portës, ne krahasim me nëntë goditjet e Frankfurtit.
Pjesa e parë ishte dukshëm më e mirë nga Bayerni, që arriti të kalojë në epërsi prej dy golash falë golit të parë të shënuar nga Leon Goretzka e të asistuar nga Thomas Muller, përderisa sulmuesi veteran gjerman arriti edhe ta shënojë golin e dytë.
Ndërkohë, pjesa e dytë ishte edhe më interesante për tifozët neutralë që po e shikonin ndeshjen, pasi u shënuan plot pesë gola.
Fillimisht, Robert Leëandoëski e thelloi epërsinë e Bayernit në 3:0, para se Martin Hinteregger i Frankfurtit t’ia shënonte shpejt dy gola Manuel Neuerit, për t’i dhënë zemër skuadrës së tij të rikthehet në lojë.
Megjithatë, tentimet e Frankfurtit për të bërë më shumë në fazën e sulmit e lejuan Bayernin të gjejë hapësira në mbrojtje dhe nikoqirët arritën t’i shënojnë edhe dy gola të tjera para fundit të ndeshjes.
Alphonso Davies shënoi për 4:2 në minutën e 61-të të ndeshjes, ndërsa Hinteregger shënoi autogol në minutën e 74-të.
Me tre pikët e fituara nga kjo ndeshje, Bayerni e kthen epërsinë prej katër pikësh ndaj Dortmundit në krye të Bundesligës, para derbit mes këtyre dy skuadrave që do të zhvillohet në mesjavë.