Drejtuesit e Premier Leagues janë optimistë që edicionin e ardhshëm do të lejohen tifozët nëpër stadiume. Por kthimi i tifozëve do të jetë në faza.
Kampionati elitar i Anglisë do të vazhdojë më 17 qershor, kurse këtë edicion tifozët nuk do të lejohen në tribuna.
Shefi Ekzekutiv i Premier Leagues, Richard Masters ka thënë se edhe klubet besojnë se në edicionin tjetër do të lejohen tifozët.
“Askush nuk e di se kur do të hapen dyert e stadiumeve për tifozët. Por ka optimizëm në Premier League dhe në klube se do të shohim tifozët të kthehen në stadiume në edicionin e ardhshëm. Kjo mund të bëhet me faza”, ka thënë Masters.
“Shpresojmë se kjo do të jetë shtytje e madhe dhe për këtë po punojmë. Ne kemi tifozë të shkëlqyeshëm në vend dhe e dimë se Premier League ashtu si e njohim dhe e duam, nuk do të jetë plotësisht e kthyer pa tifozët në tribuna. Gjithsesi ne vlerësojmë se transmetimi i ndeshjeve në televizion do të jetë një shtytje për gjithë vendin”.
Disa vende si Polonia e Rusia, do të lejojnë tifozët edhe këtë edicion, por në numër të caktuar. Shumica e ligave do të kompletojnë edicionin aktual pa tifozë në tribuna.