Senati të martën ka konfirmuar se një afroamerikan do të shërbejë si shef i shërbimit në Ushtrinë Amerikane për herë të parë. Ky është një moment historik për forcat e armatosura, ku rrallë shihet ndonjë afroamerikan në nivelin më të lartë, ka shkruar CNN.
Zëvendëspresidenti Mike Pence kryesoi votimin historik 98:0 që konfirmoi gjeneralin Charles Q. Brown Jr shef të shtabit të Forcave Ajrore. Votimi erdhi në momentin kur në gjithë SHBA-në po bëhen protesta për padrejtësitë raciale, pas vdekjes së George Floydit në duart e policisë.
Disa ditë para votimit që e konfirmoi, Brown lëshoi një video personale në të cilën tha se ishte i emocionuar për shumë afroamerikanë që kanë pësuar njëjtë si George Floyd.
“Jam duke menduar për historinë e çështjeve racore dhe përvojat e mia që jo gjithnjë ishin shenjë e lirisë”, kishte thënë ai në video.
Ai tregoi se ishte nga të paktët afroamerikanë në shkollën e tij dhe shpesh i vetmi afroamerikan në grupin e tij e më vonë edhe në udhëheqje.
Ushtria amerikane prej kohësh njihet për mungesën e diversitetit në mesin e udhëheqësve së saj. Sipas shifrave të fundit të Pentagonit, 18.7 për qind të anëtarëve të regjistruar në ushtri janë zezakë. Por vetëm 8.8 për qind të oficerëve janë afroamerikanë, krahasuar me 76.1 për qind që janë të bardhë.