Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ngriti shqetësimin e fuqizimit të disa shteteve të cilat mund të paraqesin kërcënim për balancën në botë.
Ai u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të NATO-s që të mos ndalojnë investimin në ushtri dhe bashkëpunimin mes tyre.
Përmes një videokonference nga Brukseli ditën e hënë, ai u bëri thirrje liderëve politikë që të forcojnë Aleancën Atlantike përmes mekanizmave politike, diplomatike dhe ushtarake.
Ai ngriti alarmin e fuqizimit të Kinës e cila sipas tij ka lëkundur balancën në të gjithë globin.
Gjithashtu edhe Rusia nuk qëndron prapa pasi në asnjë moment nuk i ka ndaluar investimet e saj në ushtri.
“Arsyet se pse ne duhet të investojmë në shpenzime ushtarake kanë të bëjnë me Rusinë, që po vazhdon të armatoset, me ndryshimin e ekuilibrave si pasojë e Kinës dhe me ISIS-in që po synon të rimarrë terren brenda konflikteve në Siri dhe Irak”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari u kërkoi liderëve që ta përdorin NATO-n më shpesh për tu përballur me sulme të ndryshme ndërkombëtare këtu duke theksuar sulmet kibernetike.