Prokurorët Vladimir Mata dhe Dritan Prenci kërkojnë dënimin me 12 vite burg për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish drejtorin e Policise së Vlorës, Jaeld Çela.
Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u lexuan konkluzionet e Prokurorisë.
Ish-minstri, Saimir Tahiri u paraqit në gjykatë së bashku me avokati i tij Maks Haxhia, ndërkohë në sallë ishte edhe Jaeld Çela ish-drejtori i policisë së Vlorës i cili u vetëdorëzua pas një periudhe të gjatë që ishte në kërkim.
Prokuroria kërkon dënimin e tij me 12 vite burg për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ish-ministri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës kërkojnë pafajësi. Tahiri ka paraqitur me avokatin e tij tabelat me provat dhe faktet që i ka paraqitur dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Gati 6 muaj më parë Jaeld Cela dhe ish ministri Sajmir Tahiri u shpallën fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për shpërdorim detyre ndërkohë që prokuroria kërkoi dënimin për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Për Saimir Tahirin dënimi u konvertua ne 3.5 vite ne shërbim prove ndërsa Jaeld Çela u dënua me 5 vite burg.
– Për më tepër ndiqni raportimin e gazetares Keti Banushi. Përgatiti në online Renato Çaushi./Ora news/