Gjigandi Pharma AstraZeneca arriti një marrëveshje të shtunën me Aleancën Gjithëpërfshirëse të Vaksinave të Evropës për të furnizuar deri në 400 milion doza të një vaksine eksperimentale të Covid-19.
Aleanca, e cila ishte nisur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Hollanda për të shpejtuar prodhimin e një vaksine, është vendosur të marrë në dorëzim vaksinën që po testohet nga Universiteti i Oksfordit deri në fund të vitit 2020. Marrëveshja me AstraZeneca synon gjithashtu për të vënë në dispozicion vaksinën për vendet e tjera evropiane që dëshirojnë të marrin pjesë. Kostoja pritet të kompensohet nga fondet e qeverive.
“Kjo marrëveshje do të sigurojë që miliona evropianë të kenë qasje në vaksinat e Universitetit të Oksfordit pas aprovimit,” tha CEO i AstraZeneca, Pascal Soriot. “Me zinxhirin tonë të furnizimit evropian që do të fillojë prodhimin së shpejti, shpresojmë që vaksina të vihet në dispozicion gjerësisht dhe me shpejtësi.” Kina, Brazili, Japonia dhe Rusia gjithashtu kanë shprehur interes, tha Soriot.
Rregullatori britanik Agjensia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) ka aprovuar fillimin e provave të Fazës III të vaksinës pasi studimet treguan efikasitet dhe siguri të mjaftueshme, tha Soriot në një telefonatë me gazetarët. Vaksina u zhvillua nga Instituti Jenner i Universitetit të Oksfordit, duke punuar me Grupin e Vaksinave në Oksford. Testimi i vaksinës eksperimentale të Covid-19 filloi tek vullnetarë e shëndetshëm në Britani në prill ku mbi 1.000 persona të moshës 18 deri në 55 vjeç morën pjesë. Një raund tjetër me 10,000 vullnetarë filloi muajin e kaluar.
Kompanitë tjera, përfshirë Moderna dhe Sanofi, po garojnë për të zhvilluar dhe prodhuar një vaksinë kundër koronavirusit, një hap që ekspertët thonë se do të jetë thelbësor për të lejuar vendet të lehtësojnë bllokimet e tyre dhe kufizimet në jetën publike. France 24