Bazat e letërsisë perëndimore, gjurmohen zakonisht në epikat e Greqisë së Lashtë. Veprat homerike si “Iliada” dhe “Odisea” janë ndër veprat më të njohura të letërsisë. Ato flasin mbi historinë e Luftës së Trojës, një rrethim 10-vjeçar i një qyteti të quajtur Trojë nga grekët. Iliada tregon se si gruaja e bukur e mbretit të Spartës Menelau, Helena, u rrëmbye nga princi trojan, Paridi.
Për të rimarrë Helenën dhe për të ndëshkuar trojanët për gjestin poshtërues të Paridit, Menelau ndërmori një sulm të madh ushtarak kundër Trojës. Për 10 vjet më radhë grekët e mbajtën të rrethuar qytetin e Trojës, derisa më në fund falë një dredhie ajo u mposht dhe u shkatërrua.
Tre mijë vjet më vonë, arkeologu gjerman Hajnrih Shliman zbuloi një sit arkeologjik të njohur si Hisarlik në Turqi, për të cilin shumë ekspertë besojnë se është qyteti i shumëpërfolur i Trojës. Qyteti u shkatërrua diku në Epokën e Bronzit të Vonë.
Gjithsesi, pyetja nëse shkatërrimi ishte apo jo vepër e një ushtrie greke, mbetet pa përgjigje. Arkeologët e kanë studiuar prej kohësh sitin në fjalë, dhe nuk bien ende dakord me mundësinë që ka ndodhur realisht një ngjarje e tillë. Burimet janë të kufizuara, dhe ekspertët janë ende shumë të ndarë nëse historia e përshkruar tek “Iliada”, bën fjalë për një luftë të vërtetë.
Epikat e Homerit si një burim historik
Burimi kryesor i informacionit që ne kemi mbi Trojën dhe Luftën e Trojës, vjen nga “Iliada” e Homerit. Por fatkeqësisht, “Iliada” është kryesisht një vepër e ardhur në ditët tona e përcjellë gojarisht për breza me radhë, para se më në fund të shkruhej.
Kjo histori e gjatë orale, hedh dyshime mbi saktësinë e rrëfimit, dhe përshkrimet e ngjarjeve që ndodhin në libër janë të dyshimta. Për më tepër, Lufta e Trojës ndodhi diku në shekullin XIII Para Krishtit, pra të paktën 5 shekuj përpara datës më të hershme të kopjes fizike të Iliadës.
Pra “Iliada” na tregon më shumë rreth shoqërisë, luftës dhe kulturës në shekullin IX Para Krishtit, sesa në lidhje me Epokën e Bronzit. “Iliada” është pa asnjë dyshim një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore, dhe është krahasuar me Biblën për aftësinë e saj ndikuese tek arti, letërsia dhe morali perëndimor.
Grekët, dhe shumë komentatorë të tjerë të lashtë si Herotodi, besonin se Lufta e Trojës ishte një ngjarje historike që ndodhi realisht në “Epokën e Artë” të historisë së tyre. Shumë arkeologë modernë pajtohen me këtë konstatim, duke besuar se më së paku ka ekzistuar një lloj konflikti midis grekëve dhe trojanëve në veriperëndim të Turqisë në njëfarë kohe në Epokën e Bronzit të Vonë.
Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë që detajet janë dramatizuar shumë, dhe se rrëmbimi i Helenës nuk ka qenë me siguri shkaku i luftës. Bazuar në dokumente nga civilizime të tjera të kohës, ekspertët spekulojnë se shkaku ishte ose politik ose “aksidental”, gjë që do të thotë se Troja ishte thjesht një nga shumë qytetet, të cilat ranë viktimë e sulmeve nga grekët.
Siti i sotëm arkeologjik
“Kandidati” më i njohur si qytet i Trojës, është një sit arkeologjik në veriperëndim të Turqisë i quajtur Hisarlik, i zbuluar në vitin 1870 nga arkeologu gjerman Hajnrih Shliman. Aty ekzistojnë 9 nivele vendbanimesh, dhe secili nivel është i ndarë në nën-nivele.
Arkeologët e hershëm besonin se niveli 7 A apo 7 B ishin Troja mitike, por të dhënat mbi shkallët prej qeramikës i kanë përjashtuar ato nivele. Sot niveli 6H, është kandidati më i mundshëm, pasi duket se ai është shkatërruar në një farë kohe në fund të shekullit XIII Para Krishtit.
Arkeologët e dinë që niveli 6 H u shkatërrua dhunshme gjatë atij shekulli, por nuk dihet natyra e shkatërrimit të tij. Zona nuk ishte shumë mbresëlënëse, me një kështjellë të vogël, dhe vetëm disa themele të dëmtuara që ekzistojnë ende sot.
Si e tillë, ka shumë pak prova të një vendbanimi të madh, ndaj arkeologët spekulojnë se ky sit mund të jetë shkatërruar nga ndonjë fatkeqësi natyrore, nga një pushtim, apo nga ndonjë ngjarje tjetër shkatërruese. Nivele të tjera të sitit, dihet që janë shkatërruar nga dhuna njerëzore, përfshirë nivelin 7 A, por shumica e studiuesve i kanë përjashtuar këto nivele si kandidatë të mundshëm për qytetin e Trojës nga Iliada.
Teori mbi gjasat historike të një Lufte Trojane
Për shkak të mungesës së provave të dobishme në Hisarlik, arkeologët vazhdojnë të mos bien dakord nëse Lufta e Trojës ka ndodhur vërtetë apo jo. Karl Blegen, një arkeolog që gërmoi në Hisarlik në vitet 1930, ka thënë se “nuk mund të dyshohet më” që grekët vendosën rrethimin në vendin e njohur si Hisarlik, dhe në fund e shkatërruan atë. Gjithsesi, ky mendim ishte i bazuar në besimin se niveli 7 A ishte Troja mitike, ndërsa ekspertët modernë nuk pajtohen me këtë pretendim.
Hisarlik: A është Troja?
Në fakt, shumë historianë e kanë kritikuar Blegen, për vendimin e tij të nxituar për ta shpallur nivelin 7 A si Trojën e vërtetë. Mozez Finli dhe të tjerët, e kanë quajtur përfundimin e tij një “akt besimi”, dhe treguan një mungesë thuajse totale të provave, që sugjeronin se rënia e Trojës u shkaktua nga një ushtri greke.
Historianë si Finli janë shumë më konservatorë në interpretimin e provave të gjetura në Hisarlik, dhe mbështeten tek tekstet bashkëkohore të asaj periudhe, konkretisht në ato të Hititëve, që në shkrimet e tyre përmendin një sit që mund të jetë Troja.
Ata sugjerojnë se shkatërrimi i këtij qyteti, mund të ketë qenë ose politik ose “aksidental”, çka do të thotë se niveli 6 H u pushtua si pjesë e një plaçkitjeje ose bastisje në shkallë të gjerë. Teoria më e zakonshme, është se tregimet e Iliadës janë kryesisht të pavërteta, por kanë lindur nga një ose më shumë të vërteta të vogla nga e kaluara e largët e grekëve.
Ndoshta ka pasur një konflikt të Epokës së Bronzit, historia e të cilit mbijetoi shekuj, u transmetua gojarisht, dhe siguroi bazën mbi atë që u bë më pas guri i themelit të letërsisë dhe mendimit perëndimor. Shumica bien dakord se shkaku i një lufte të tillë, ka qenë më shumë gjasa politike sesa romantike, dhe se në të ishin përfshirë më pak luftëtarë.
Deri në ditën kur do të zbulohen më shumë të dhëna, nuk ka asnjë mënyrë për të arritur në përfundimin se Lufta e Trojës, ishte një ngjarje e vërtetë. Për shkak të mungesës së provave, edhe për të dëshmuar se Hisarliku është Troja e vërtetë, çështja nëse Lufta e Trojë u zhvillua vërtet ka mbetur pa përgjigje.
Sidoqoftë, duke pasur parasysh që “Iliada” është një vepër letrare e transmetuar gojarisht për shekuj me radhë, para se të shkruhej, arkeologët kanë hezituar të konstatojnë se një ngjarje e tillë ka ndodhur vërtetë. Por shumica e tyre janë dakord se me shumë gjasë, “Iliada” dhe “Odisea’ të jenë frymëzuar më së paku nga një ekspeditë ushtarake në shkallë të gjerë, që ka ndodhur dikur në Epokën e Bronzit të Vonë. / DailyHistory