Një drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se Britania e Madhe nuk duhet t’i largojë masat kufizuese derisa sistemi për testim dhe përcjellje të jetë i gatshëm për menaxhimin e një numri të madh të njerëzve.
Dr.Hans Kluge, drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, tha se qeveria britanike duhet të marrë vetëm hapa të sigurtë dhe të mos nduket me vendime si ai për largimin e masës për mbajtjen e dy metrave distancë mes personave.
“Fjalët kyçe këtu janë që kjo (largimi i masave) të bëhet në mënyrë graduale. Bëjeni këtë në mënyrë të kujdesshme”, tha Dr.Kluge shkruan “Daily Mail”.
Komentet e tij erdhën pasi të dhënat e javës së kaluar treguan që sistemi për testim dhe përcjellje i organeve britanike nuk është në gjendje t’i sigurojë bashkëpunim nga një e treta e kontakteve në javën e parë.
Britania është duke u kthyer ngadalë në jetën normale pas largimit të masave kufizuese për udhëtime brenda vendit dhe takime në grupe të vogla.
Dyqanet e produkteve joesenciale, përfshirë dyqanet e rrobave, do të rihapen nga e hëna, por njerëzit janë të obliguar të përdorin maska në transportin publik.
Britania është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në Evropë. Në këtë shtet deri më tani janë regjistruar 41,698 viktima dhe 295,889 raste të infektimeve.