Europianët dhe britanikët ranë dakord për t’i dhënë një impuls të ri negociatave mes BE-së dhe Londrës për të arritur një marrëveshje mbi marrëdhëniet e tyre të ardhshme para fundit të vitit 2020, pas një videokonferencë, sipas një deklarate të përbashkët.
“Të dy palët bëjnë thirrje për të arritur sa më shpejt një marrëveshje të përbashkët që bazohet mbi parimet që lidhen me çdo marrëveshje”, shton komunikata e publikuar në përfundim të takimit që zgjati rreth një orë mes kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe drejtuesve të BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel.
Drejtuesit e Bashkimit Europian dhe britaniku, Boris Johnson u mblodhën sot me anë të një videokonference me shpresën për t’i dhënë një impuls të ri negociatave post-Brexit.
“Videokonferenca e nivelit të lartë filloi”, shkroi në Twitter zëdhënësi i presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel.
“BE është e gatshme të intensifikojë diskutimet, jemi të disponueshëm 24 orë në 7 ditë të javës. Të injektojmë një qasje të re për negociatat”, uroi më herët presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një mesazh në rrjetet sociale.
Përveç kryeministrit britanik, Boris Johnson, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli dhe negociatori i BE-së, Michel Barnier morën pjesë në takim, nga ana europiane. Homologu britanik, ministri i Shtetit, Michael Gove dhe ambasadori britanik i BE-së ishin gjithashtu të pranishëm.