Kryetari i PD-së Basha ka takuar sot përfaqësues të biznesit në zonën e “Ali Demit” në Tiranë ku premtoi se do të ketë vetëm një taksë dhe se do të hiqet barra e inspektorit tatimor.
Basha u shpjegoi bizneseve masat e planit të opozitës për të rimëkëmbur biznesin e vogël, i cili përbën 70% të ekonomisë shqiptare.
“E para, biznesit të vogël ne do t’i lëmë vetëm një tatim. Do t’ia heqim edhe taksat lokale, gjelbërim, tabelat, të gjitha. Vetëm një tatim 0.5% e xhiros vjetore, atë do t’ia çojmë pushtetit lokal që të kujdeset për infrastrukturën. E dyta, inspektor me sy s’keni për të parë më. Me një pullë tek dera aty, u fut inspektori brenda, ndëshkohet inspektori, sepse po arritëm këtë, do të çlirojmë 70% të biznesit që është biznes i vogël”, tha ai.
Po ashtu Basha tha se “problem kryesor pas taksave dhe rënies së konsumit është klima që krijohet. I gjithë biznesi që takoj kudo, nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Durrës, edhe në Tiranë flet për klimë terrori. Po si mund të jetojë biznesi me klimë terrori sikur po bën faj. Biznesi po mban Shqipërinë në këmbë”./ATSH/