Opozita dhe maxhoranca kanë rënë dakord mbi mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve të KQZ-së, procedurë e cila do të kryehet sipas propozimit të sjellë nga PD në këshillin politik.
Në përfundim të mbledhjes, anëtarët e opozitës, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili, janë shprehur njëzëri se me propozimin e ri do të sigurohet vota e shqiptarëve dhe do të mënjanohet rreziku për tjetërsimin e saj.
“U pranua propozimi i tretë duke u siguruar garanci që KQZ-ja të mos ketë persona që të jenë të inkriminuar politikisht. Dakordësia e datës 5 qershor do të jetë e plotë. Garancitë të jenë të plota dhe qeveria të mos prekë administrimin e zgjedhjeve. Në ditët në vijim do të trajtohen çështje , do të përfundojë draftimi i tyre. Besoj që me mbledhjen e sotme kodi zgjedhor do të ketë garanci shtesë që vota e shqiptarëve të mos tjetërsohet. Opozita do të sigurojë rrotacionin politik“, tha Bylykbashi.
“Pas ditës së sotme mund të shkojmë në miratim përfundimtar. Në një fazë të fundit është kushti i zbatimit të reformës zgjedhore. Çdo pikë të zbatohet deri në fund se ka të bëjë me atë moment historik dhe prerje duarsh për këdo që kërkon të ndërhyjë në rezultat. Në këtë fazë të dytë përgjegjësia e monitorimeve do të jetë objektiv kryesor”, tha Vasili.