Kreu i PD, Lulzim Basha premtoi se kur të vijë në qeveri do të rrisë pensionet. Ai bëri një premtim, duke thënë se nuk do të ketë pension nën 250 mijë lekë.
Basha:
Bashkohuni me ne, bashkohuni me këtë shumicë, bashkohuni me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, se sot jemi shumicë morale dhe politike. Prandaj, rritja e pensioneve do të fillojë menjëherë. Pensione nën 250 mijë lekë në muaj në krye të 4 vjetëve nuk do të ketë.
Ai mori shembull prindërit e tij, të cilët edhe pse kanë punuar gjithë jetën nuk i del pensioni.
Basha: Unë nisem nga prindërit e mi, të cilët kanë punuar gjithë jetën dhe po të mos kenë ndihmë nga unë, pensioni s’u mjafton as për ilaçet dhe energjinë elektrike. Gjithë jetën nëna ime mësuese, hiq faturën e ilaçeve, s’u ngelet as 5 mijë lekë në ditë për muajin. Po jua them se e di fare mirë këtë situatë. Dhe të mendosh se prindërit e mi nuk kanë pensione të ulëta. Po ata që marrin vetëm 70, 80 apo 90 mijë lekë pension, me çfarë jetojnë? E çan kokën ky (Rama) me çfarë jetojnë ata? Ky një shishe verë e blen sa dy pensione.
Më herët Basha ishte në Rrogozhinë
Të dielën kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e kaloi në takime me qyfterët e Rrogozhinës, të cilët i ftoi të marrin pjesë në tubimin e pasdites së 13 prillit. Ndërsa pasdite mblodhi Kolegjin e Kryetarëve dhe drejtuesit e degëve të Tiranës për organizimin e protestës së të shtunës që vjen.
Beteja e opozitës tha Basha, është për largimin një herë e mirë të fenomenit Rama, që sipas tij ka futur duart në xhepat e shqiptarëve, për të pasuruar një grup njerëzish.
Basha: Një dhe vetëm një projekt ka pasur Rama, duke ju varfëruar, duke ju pamundësuar që të jetoni me punë të ndershme.
Lideri i opozitës pati një paralajmërim për ata të cilët i quan oligarkë, duke theksuar se do t’u konfiskohet çdo pasuri që po i zhvatin popullit shqiptar.
Basha: Ne do të largojmë edhe këta oligarkë, këta njerëz, të cilët janë bërë milionerë dhe miliarderë mbi gjakun dhe djersën e popullit shqiptar
Në bashkëbisedim me banorët, Basha tregon si e mbyllin muajin prindërit e tij pensioniste, ndërsa dha këtë premtim.