Shkruan Helidon Kastrati
Pas situatës së krijuar një ditë më parë, ku Prokuroria e Dhomave të Specializuara ka kërkuar që të ngritët akuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që të dy ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është nevojë urgjente që Kosova të shkojë në zgjedhje.
Kërkesa për të ngritur akuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës dhe shefit të opozitës në Kosovë, shihet më shumë si politike, sesa si qellim për të vë drejtësi për kinse krimet e kryera nga UÇK 21 vite më parë në Kosovë.
Momenti i publikimit të lajmit nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, ndodhi tre ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, Ku delegacioni i Kosovës i përbërë nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, do të takoheshin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë që ky takim të anulohet.
Duke parë rrethanat e krijuara mes instilacioneve të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, raportet jo shumë të mira mes SHBA-së dhe BE-së, vlerësoj se është e domosdoshme që Kosova të shpallë zgjedhjet parlamentare dhe të formohen institucione të reja, të cilat do të kishin legjitimitet të plotë të Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë. E them këtë, pasi Avdullah Hoti kontestohet si kryeministër nga opozita e Kosovës, kurse Presidenti Thaçi e ka të pamundur ta përfaqësojë Kosovën në bisedime pas kërkesës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale.
Një përfaqësim i Kosovës me Avdullah Hotin, me një gjysmë legjitimitet dhe me një politikë të Kosovës të përçarë, përball Vuçiçit të Serbisë që në zgjedhjet e së dielës ka fituar më shumë se 60% të votave në Serbi dhe me një Evropë, që nuk duket me disponim të plotë për të mbështetur Kosovën, do të bënte që Kosova të mos e fitonte në tavolinë atë që i takon dhe atë qw e fitoi me luftw.
Po ashtu, edhe në SHBA në nëntorin e këtij viti mbahen zgjedhjet, administrata e Presidentit Trump, gjatë gjithë kësaj kohe të do jetë e përkushtuar në fushatë, nuk do të kishte mundësi që Kosovës t’i kushtonte kujdes të plotë. Edhe ky fakt e favorizon Serbinë në tavolinë, e cila e ka mbështetjen e plotë të Rusisë dhe Kinës.
Andaj bëj thirrje publike, që Kosova të shkojë në zgjedhje dhe të krijohen institucione legjitime, të cilat do ta përfaqësonin vendin sa më denjësisht në dialog dhe të përmbyllen hasmërinë shekullore mes Kosovës dhe Serbisë, por me të vetmin kusht, që Serbia të paguajë për dëmet dhe krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Po ashtu, ngritja e akuzës ndaj Thaçi si President i Kosovës dhe dënimi i tij i mundshëm për kinse krime lufte gjatë luftës nga UÇK ndaj serbëve, do ta dëmtonte imazhin e Kosovës përjetësisht dhe do ta amnistonte gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë që nga viti 1912. E për më keq, do t’ia jepte mundësinë Serbisë që të kërkonte dëmshpërblim nga Kosova. Presidenti Thaçi nëse dëshmohet se është i përfshirë në afera korruptive në Kosovë gjatë periudhës 20 vjeçare, do të duhet të dënohej nga drejtësia e Kosovës, por kurrë për krime lufte, sepse Kosova dhe UÇK kanë bërë luftë të pastër dhe çlirimtare.