Triumfi i Liverpoolit në Premier League gjithnjë do të asocojë me karizmën dhe pasionin e trajnerit Juergen Klopp.
Gjermani Klopp në vitin 2015 mori drejtimin e klubit që nuk kishte titull në ligën nacionale që nga viti 1990. Kur Klopp u emërua, Liverpooli ende ishte i shokuar me mënyrën se si humbi titullin në vitin 2014.
Ndikimi i menjëhershëm i Kloppit ishte në rritjen e besimit dhe entuziazmit në klub.
“Pasi ndihej një atmosferë disi depresive këtu, kishte kuptim për të qenë skajshmërisht i gjallë”, kishte thënë Klopp.
Gjallëria e tij ishte e qartë që në ditët e para në klub.
Të qeshurat, përkrahja për lojtarët dhe mendimet pozitive të Kloppit bënë që ai të fitoi simpatinë e tifozëve. Por prapa skenës ai imponoi qasje që shkonte përtej tingujve të “futbollit ‘heavy metal’”, një frazë që e kishte shpikur te Borussia Dortmundi.
“Mos u sillni sikur i dini të gjitha dhe bëhuni gati për të pranuar këtë. Nuk është filozofi e vërtetë, është vetëm mënyrë e jetës’, ka thënë Klopp së fundi. “Duhet të keni përreth njerëz me njohuri më të mira se ju, në departamente të ndryshme”.
Ai e bëri të qartë se nuk do të menaxhojë çdo aspekt të klubit. Kur një zyrtar e pyeti se në sa ora dëshiron që autobusi të largohej me ekipin para ndeshjes, përgjigjja e tij ishte: “Pse po më pyet mua?”.
Trajnerët e kaluar kanë vendosur gjëra të tilla, por Klopp ka thënë dy gjëra me atë përgjigje: se ka gjëra më të mëdha për t’u marrë dhe tjetra, më e rëndësishme, njerëzit tjerë e dinë më mirë përgjigjen në atë pyetje.
Menaxhmenti në Premier League ka lëvizur shumë larg prej ideve të shkollës së vjetër se “bosi” duhet të merret me transferet, kontaktet, orarin e autobusit, rutinën e stërvitjes e po ashtu për taktikat dhe selektimin.
Klopp e merr delegimin e detyrave më seriozisht se gjithë të tjerët.
Ishte një qasje që kishte te Dortmundi. Një herë kishte shpjeguar pse nuk bënte skautim.
“Unë nuk do të udhëtojë në gjithë Gjermaninë duke kërkuar lojtarë. Është e pakuptimtë. Unë u them skautëve se çfarë lojtarësh po kërkojmë dhe nëse gjejnë një të tillë të më lajmërojnë”.
Kur bëhet fjalë për transferet, Klopp ka bashkëpunuar ngushtë me drejtorin sportiv, Michale Edwards dhe së bashku kanë ndërtuar ekipin që fitoi titullin. Është marrë shumë për bazë ekspertiza e departamentit shkencor dhe analizat e ndryshme.
“Aftësia e tij për atë se kur të jap informata e kur mos të jap, apo për atë se çka të jap e çka jo, është nivel tjetër”, thotë analisti i Liverpoolit, Mark Leyland.