Pandemia e koronavirusit është larg nga përfundimi, ka paralajmëruar kancelarja gjermane Angela Merkel, me brenga se shpërthimet e reja të infektimeve do të çojnë në një valë të dytë të virusit.
Përgjigja e Gjermanisë ndaj virusit është lavdëruar në tërë botën pasi që një regjim intensiv i testimeve zbuloi një numër të madh të infektimeve por numër relativisht të vogël të vdekjeve krahasuar me shtetet tjera evropiane.
Tani gjersa shteti do të merr presidencën e këshillit të Bashkimit Evropian, rol me rotacion që së fundi e kishte Kroacia, Merkel ka thënë se prioriteti saj kryesor do të jetë shëndetësia dhe ekonomia që janë prekur nga virusi.
“Rreziku nga virusi ende është serioz”,tha Merkel në adresimin e saj javor që i bën shtetit nëpër mes videos. “Është lehtë të harrohet ngase Gjermania ka kaluar mirë nëpërmes kësaj krize, por kjo nuk do të thotë se jemi të mbrojtur, e që rreziku është mënjanuar, ashtu si po tregohet nga këto shpërthime të reja rajonale”.
“Merreni seriozisht”, tha ajo, “sepse është serioze”.
Paralajmërimi i saj vjen pas rritjes së rasteve në Gjermani, dhe rrezikut të rritjes eksponenciale gjetkë në botë.
Autoritetet gjermane kthyen kufizimet në një rajon perëndimor ku banojnë afro 500,000 persona, pasi që afro 1,300 punonjës në një mishtore rezultuan pozitivë për Covid-19, në përpjekjen për të parandaluar përhapjen e infektimeve në vendet tjera.
Ndërsa përgjatë Atlantikut dy nga shtetet më të mëdha të SHBA-së i rivendosën masat e kufizimeve për shkak të rritjes së infektimeve të reja. Numri ditor i rasteve të infektuara në këtë shtet arriti numrin më të lartë gjer tani në 45,300 persona të premten, duke e tejkaluar shifrën prej 40,000 që ishte një ditë më parë sipas Universitetit Johns Hopkins.
Rastet e reja ditore janë rritur prej afro 60 për qind gjatë dy javëve të kaluara, sipas një analize nga Associated Press. Gjersa rritja e numrave në SHBA paraqet edhe rritjen e testimeve, ekspertët thonë se ka shumë dëshmi që virusi është duke u kthyer, përfshirë edhe rritjen e vdekjeve në disa pjesë të SHBA-së dhe një përqindje më të madhe të testeve te cilat po dalin pozitive.
Ndërkohë, India raportoi më shumë se 18,000 raste të reja, duke e shtyrë numrin total përmbi gjysmë milioni, numri i katërt më i lartë në botë pas SHBA-së, Brazilit dhe Rusisë.
Edhe Kina, që dikur ishte epiqendra e pandemisë, por e cila pothuajse e çrrënjosi virusin, pat rritje të rasteve një ditë pasi që autoritetet thanë se së shpejti do ta merrnin nën kontroll një shpërthim të infektimeve në Pekin.