Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të takimeve të tij në Kosovë me krerët e politikës pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër presidentit Hashim Thaçi e Kadri Veseli, ka mbajtur një konferencë për media në aeroportin “Adem Jashari”.
Rama ka bërë thirrje për unitet, derisa ka drejtuar kritika dhe akuza në drejtim të Gjykatës Speciale, duke rikujtuar se dihet qartë se kush ka qenë agresori dhe kush viktima.
Tutje Rama ka thënë se janë krejt naiv dhe të verbuar nga mllefi, të gjithë ata që mendojnë se publikimi i aktakuzës është bërë për të pastruar skenën politike të Kosovës apo për shkapjen e shtetit.
“Kush mendon e propagandon, qoftë edhe me një koment të pamenduar e naiv në rrjete sociale, se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personash apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për shkapjen e shtetit është ose naiv, krejt naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi”, ka thënë Rama.