Të shumtë ishin ata që humbën betejën me COVID-19, por edhe më të shumtë ata që e mposhtën virusin. I tillë është edhe rasti i një 58-vjeçari nga Uellsi, Mal Martin.
Shanset e tij për mbijetesë ishin zero, sipas mjekëve. Historinë e tij e kanë treguar gruaja Sue Martin dhe fëmijët e tij, Hana e William.
Në një intervistë për “BBC”, gruaja ka rrëfyer se mjekët i kishin thënë që të takoheshin për herë të fundit me Mal Martin pasi dukej sikur ai ishte në momentet e fundit.
Por pas 11 javësh në terapi intensive, “mrekullisht” ai u shërua dhe së shpejti do të kthehet në shtëpi.
Bashkëshortja tregoi se para se të merrnin këtë lajm, ajo kishte diskutuar me fëmijët edhe për funeralin. Për këtë arsye lajmi për ta ishte i papritur, sidomos pas takimit të 4 prillit në spital, që supozohej të ishte i fundit. Shërimi i 58-vjeçarit ka befasuar edhe mjekët.
“Të gjithë në spital nuk e prisnin që ai të mbijetonte. Ne na thanë që ai ishte afër vdekjes. Edhe ata janë të surprizuar. Të flasim për kthimin e tij në shtëpi duket si e pamundur. Ne jemi shumë falenderues. Është e pabesueshme”, tha Sue.