Prokuroria Themelore Publike e Shkupit si dhe Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar, kanë plotësuar memorandumet dhe vulat me përcaktuesin gjeografik të emrit siç parasheh Marrëveshja e Prespës por nuk i kanë përkthyer në gjuhën shqipe, siç është përcaktuar në Ligjin për gjuhët.
Pyetjet që televizioni Alsat i adresoi në Prokurori, mbetën pa përgjigje. Në mungesë të informatave zyrtare, Alsat jozyrtarisht mëson se edhe tabela informuese në hyrje të Prokurorisë po ndryshohet, por edhe ajo për të shtuar përcaktuesin gjeografik e jo për të shtuar edhe tekstin në gjuhën shqipe.
Janë zhvendosur fjalët paralajmëruese të Prokurorisë në hyrje të këtij objekti ndjekës me qëllim që të shtohet përcaktuesi gjeografik “Severna” në alfabetin cirilik dhe në gjuhën maqedonase por jo edhe në gjuhën shqipe ashtu siç e parasheh Ligji për përdorimin e gjuhëve”.
Zëvendëssekretari i qeverisë Tahir Hani, tha se çdo ligj tjetër ekzistues duhet t’i përshtatet Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij çdo Institucion që zbaton Marrëveshjen e Prespsë por jo edhe ligjin për gjuhët, bën shkelje ligjore për çka priten edhe dënime.