Ministria e Shëndetësisë në Iran ka njoftuar se numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në këtë shtet ka shkuar në mbi 12,000 pasi në 24 orët e kaluara u regjistruan 153 viktima të reja.
Javën e kaluar, Republika Islamike shënoi rritje të madhe të rasteve ditore, në kohën kur masat kufizuese për lëvizje të lirë janë lehtësuar, shkruan “Reuters”.
Një ditë më parë, Irani regjistroi 200 viktima të koronavirusit për 24 orë, duke shënuar rekord në këtë aspekt. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 248,379 persona, ndërsa 209,463 tashmë janë shëruar.
Të shtunën, presidenti Hassan Rouhani njoftoi për masat e reja kufizuese. Sipas tij, personat që nuk vendosin maska nuk do të mund të marrin shërbime publike dhe vendet e punës që nuk i respektojnë protokollet shëndetësore do të mbyllen për një javë.
Televizioni shtetëror vazhdimisht ditëve të fundit ka transmetuar intervista të gazetarëve me njerëz në transportin publik dhe në qendra tregtare, duke i pyetur ata pse nuk kanë vendosur maska.
Disa prej tyre thanë se nuk janë duke e cilësuar këtë si diçka urgjente, ndërsa të tjerët thanë se maskat nuk janë të rehatshme.