Shefi i Stafit të Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku ka reaguar ndaj rinisjes së negociatave mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Përmes një postimi në Twitter, Çollaku ka thënë se rinisja e dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja, nuk është në interesin e Kosovës.
Sipas tij, kthimi në bisedime është dizajnuar vetëm për ta arsyetuar hapjen e më shumë kapitujve për anëtarësimin e Serbisë në BE, përderisa Kosovën do ta lënë të izoluar në status-quo’në e tanishme.
Çollaku tha se qëllimi i dialogut duhet të jetë një marrëveshje finale politike me njohje të ndërsjellët.
“Rifillimi i dialogut teknik të udhëhequr nga BE nuk është në interesin e Kosovës. Është krijuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve të pranimit për Serbinë ndërsa e lë Kosovën të izoluar nën status quo-në aktuale. Qëllimi duhet të jetë një marrëveshje politike përfundimtare me njohje reciproke”, ka shkruar Çollaku.
Këto komente, Çollaku i bëri pasi takimit Hoti-Vuçiq në Bruksel ndërkohë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po merrej në pyetje për krime lufte nga prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë.