“E paralajmëroj Kremlinin dhe qeveritë e tjera të huaja se nëse zgjidhem president, administrata ime do t’i bëjë të paguajnë çmim të fortë dhe afatgjatë ata që do të ndërhyjnë në zgjedhjet e SHBA-së”, tha Biden
Kandidati presidencial demokrat në SHBA, Joe Biden, ka paralajmëruar Rusinë dhe vendet e tjera se do të paguajnë çmimin nëse ndërhyjnë në zgjedhje, transmeton Anadolu Agency (AA).
“E paralajmëroj Kremlinin dhe qeveritë e tjera të huaja se nëse zgjidhem president, administrata ime do t’i bëjë të paguajnë çmim të fortë dhe afatgjatë ata që do të ndërhyjnë në zgjedhjet e SHBA-së”, tha Biden në një deklaratë.
Biden, ish-nënpresident në periudhën e Barack Obamës, e ka cilësuar si veprim “armiqësor” ndërhyrjen e jashtme në zgjedhjet e SHBA-së.
“Unë nuk kam qëllim të përshkallëzoj tensionet me Rusinë ose ndonjë vend tjetër. Unë dua që administrata t’ia kushtojë gjithë energjinë afrimit të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe luftës kundër COVID-19, dëmtimit të ekonomisë dhe problemeve të tjera shqetësuese globale”, ka shtuar Biden.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor 2020, ndërsa kandidati fitues do të marrë përsipër detyrën më 20 janar 2021.