Sipas një hulumtimi të televizionit BBC, numri i vërtetë i personave të vdekur nga koronavirusi në Iran është gati tri herë më i madh se shifra e publikuar nga qeveria.
Sipas dokumenteve qeveritare, gati 42,000 persona kanë vdekur me simptoma të sëmundjes Covid-19 deri më 20 korrik, ndonëse zyrtarisht janë regjistruar vetëm 14,405 viktima nga Ministria e Shëndetësisë.
Edhe numri i personave të infektuar është gati dyfish më i lartë se shifra zyrtare. Zyrtarisht janë regjistruar 278,827 persona të infektuar, por sipas këtij hulumtimi, shifra e vërtetë është mbi 451,000, shkruan “BBC”.
Irani është vendi më i prekur nga virusi i ri në Lindjen e Mesme dhe një nga shtetet me numrin më të lartë të rasteve në Azi dhe në botë. Në javët e fundit, Republika Islamike është përballur me rritje të numrit të rasteve.
Që nga fillimi i përhapjes së virusit, shumë vëzhgues kanë shprehur dyshime për shifrat zyrtare të viktimave dhe infektimeve që publikoheshin nga qeveria.
Raportohet se ka pasur parregulsi në publikimin e të dhënave mes nivelit kombëtar dhe atij rajonal dhe këtë e kanë vënë në pah haptazi disa autoritete lokale.
Televizioni BBC i ka marrë këto të dhëna nga një burim anonim. Në të dhëna përfshihen emrat, mosha, gjinia, simptomat, koha e kaluar në spital dhe sëmundjet e tjera të pacientëve.
Ky burim tha se i ka shpërndarë këto të dhëna për të hedhur dritë mbi të vërtetën dhe për t’u dhënë fund lojërave politike rreth pandemisë.