Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, Dom Ndre Mjedën, një nga klasikët e gjuhës, letërsisë dhe përpjekjeve shqiptare.
“Mjeda ndërroi qetësisht jetë në qelen e Kuklit, në gusht të vitit 1937. Rama tha se, ky ‘pastor bonus’, në shëmbëlltyrën e Shëlbuesit t’vet, për të cilin Ernest Koliqi ka shkruar se “ia len dalë poetëve ma të ardhangët latinë”, prejardhjen e kishte prej Kryeziut të Pukës. Kreshnike prejardhja, kreshnik dhe karakteri i një personaliteti të fortë, që nxjerr krye edhe në poezitë më delikate të Domit, siç shfaqet ma s’miri tek poezia e tij “Guxo!”, shkroi Rama, duke publikuar edhe disa vargje.
“Lundërtar qi s’rrezikohet
Kur asht deti shkumb e valë,
Vetë me vedi mos t’ankohet
Se i shkoi dita pa fitim.
Tuj u tallë e tujpritue,
Kurrgjasend nuk qitetn’dritë;
Çfarëdo sendi me fitue
Trymni lipet e guxim””
Rama shtoi se “mijëra muzikalitetet e njimbëdhjetërrokëshit të tij”, që Camaj ia pat lëvduar këtij qëndistari të fjalës shqipe, përshkruajnë një aspekt të këtij vjershëtari të bekuar si pak të tjerë nga Muzat dhe Hiret.
“Dom Ndre Mjeda rrahu për dekada qendra autoritative universitare. Diku çeli shkolla edhe vetë, diku tjetër u kujdes me përkushtim për të vobektët, diku u thellua në studimet albanologjike, diku tjetër akoma i dha tharm jetës politike shqiptare, si përfaqësues i zgjedhur i grigjës së vet në ma t’parin Parlament shqiptar”, tha ai.
Sipas Ramës, “jeta e Dom Ndre Mjedës, e pasur e frymëzuese, mishërohet bukur fort në atë qelë dhe atë kishëz neoklasike të mrekullueshme, kushtuar Shën Shtjefnit Protomartir, të cilën e ngriti me duart e veta rrëzë Malit të Kuklit në Shkodër, n’agim të të njizetit qindvjet – fatmirësisht e rimëkëmbur sot nga i palodhuri Dom Nike Ukgjini”.
“Ndërsa vepra e Dom Ndresë është një “selva morale e spirituale”, të cilën i madhi Claudio Monteverdi, sikur t’i kishte qenë kohanik, nuk do kishte ngurruar t’ia përjetësonte në kompozimet e tij të përkora të Rinascimento-s së vonë. “In memoria aeterna manet iustus””, shtoi ai/ATSH.