Dy liderët e koalicionit ASH-Alternativa, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi nuk do të marrin pjesë në takimin e sotëm të partive parlamentare shqiptare të thirrur nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në letrën drejtuar Ahmetit, Sela dhe Gashi thanë se parimisht janë dakord për një takim të tillë për koordinim të qëndrimeve të partive shqiptare, por kërkuan të precizohet rendi i ditës dhe të shtyhet takimi për një ditë tjetër, duke nisur nga e hëna e tutje.
ASH-AAA:
“Ne mendojmë se mekanizmi politik i Tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe si i tillë, mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptar… do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë, për arsyen organizimit të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare”
Përmes përgjigjes së menjëhershme, Ahmeti propozoi agjendën tre-pikëshe, me mundësi për plotësim nga pjesëmarrësit e takimit.
BDI:
“Për takimin e ditës së enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, ju propozojmë agjendën vijuese: Statusi i realizimit të përcaktimeve nga Deklarata e Përbashkët në mandatin e kaluar, -Vlerësim i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 15 korrikut 2020 -Krijimi i Këshillit ndërpartiak në përputhje me Deklaratën e Përbashkët dhe përcaktimi i afateve për realizimin e objektivave të përbashkëta”
Edhe lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami nuk do të marrë pjesë në takimin e sotëm. Në kumtesën e kësaj partie thuhet se ata janë për vendosje të një modeli të ri të takimeve të partive politike parlamentare shqiptare, përkatësisht kjo të ndodhë pas formimit të qeverisë së re.
Lëvizja Besa:
“Lëvizja Besa edhe njëherë e konfirmon qëndrimin e vet parimor për të vendosur një model të ri i cili do të vendosë rregulla se takimi i partive parlamentare shqiptare do të realizohet pas formimit të qeverisë së re, që partitë parlamentare shqiptare në qeveri të obligohen me përgjegjësi për realizimin e çështjeve me interes të madh për shqiptarët. Gjithashtu, para përfundimit të mandatit të partive politike shqiptare në qeveri, ato të japin llogaridhënie për realizimin e çështjeve për të cilat janë dakorduar bashkarisht”.
Ftesa e BDI-së propozon pjesëmarrje në formatin kryetar partie dhe dy bashkëpunëtorë. PDSH ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë ose jo në takimin e thirrur nga Ahmeti për ditën e sotme, përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Përkundër zërave për shtyrjen e takimit, nga BDI përmes një kumtese pas mesnate njoftuan se takimi do të realizohet.
BDI:
“Sot, e enjte, 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00 do të mbahet takimi i Tryezës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare”, thuhet në njoftimin e BDI-së./Alsat/