Koreja e Jugut ka vendosur të luftojë përhapjen e Covid-19 me anë të teknologjisë dhe stacionët e rinj të autobusëve që po instalohen në Seul e bëjnë vendin të duket si prej një planeti tjetër.
Në një përpjekje për të frenuar përhapjen e Covid-19, autoritetet kanë instaluar në stacionet e autobusëve struktura me panele qelqi të pajisura me llamba dhe dyer dezinfektuese me rreze UV që mund të matin temperaturat e njerëzve, raporton The Guardian.
Brenda këtyre stacionëve “futuristikë” ofrohet edhe WiFi falas.
Për të hyrë, të gjithë pasagjerët duhet të qëndrojnë para një kamere termike dhe dera do të hapet vetëm nëse temperatura e tyre është nën 37.5 gradë celsius.
Brenda këtyre strukturave të teknologjisë së lartë – të cilat kushtojnë rreth 84,000 dollarë secila – sistemet e ajrit të kondicionuar kanë llampa ultravjollcë që synojnë të shkatërrojnë viruset dhe në të njëjtën kohë të ftohin ajrin. Një pajisje brenda tyre siguron gjithashtu dezinfektuesin e duarve.
Dhjetë nga kabinat janë instaluar në një seksion verilindor të qytetit, duke ofruar mbrojtje si nga koronavirusi, ashtu edhe nga shirat e stuhishëm dhe temperaturat përvëluese të verës në Korenë e Jugut.
“Ne kemi instaluar të gjitha masat e mundshme anti-koronavirus që mund të mendojmë në këtë stendë,” tha Kim Hwang-yun, një zyrtar përgjegjës për projektin Smart Shelter, sipas Guardian.
Për tu siguruar që pasagjerët të mos e humbasin autobusin e tyre, një ekran tregon kohët e mbërritjes së autobusëve pasi trafiku monitorohet në kohë reale.
“Ndihem vërtet i sigurt këtu sepse e di se të tjerët përreth meje kanë kontrolluar temperaturat e tyre” tha Kim Ju-li, një grua 49-vjeçare që përdori për herë të parë stacionin e autobusit.