Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm alternat të Greqisë, Miltiadis Varvitsiotis.
Cakaj informoi se kanë diskutuar për lehtësimin e kalimit kufitar në Kakavijë.
“Duke respektuar të gjitha masat dhe forcimin e grupeve që punojnë në kufi, ne jemi duke ndjekur vazhdimisht situatën për të lehtësuar ngarkesën në kufi”, shprehet ai.
Si pasojë e shtimit të rasteve me koronavirus në Shqipëri dhe Greqi, autoritetet greke kanë vendosur që të zhvillojnë testime masive për udhëtarët që kalojnë kufirin.
MEPJ deklaroi më herët se është në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orët e vona të natës.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjieno-sanitare.