Ministria e Shëndetësisë e Brazilit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar 41,576 raste të reja të koronavirusit.
Në këtë mënyrë, rastet e reja e çuan në 3.3 milionë numrin e përgjithshëm të personave të infektuar me Covid-19 në shtetin më të madh të Amerikës Jugore.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan 709 të vdekur nga sëmundja e re, shkruan “CNN”.
Sao Paulo, rajoni me popullsinë më të madhe në Brazil dhe epiqendra e përhapjes së virusit, i ka regjistruar gati 700,000 të infektuar dhe mbi 26,000 të vdekur.
Pavarësisht përhapjes së madhe, presidenti Jair Bolsonaro vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e masave kufizuese me arsyetimin se ato janë duke e dëmtuar shumë ekonominë.