Fusha Beqa në Liban është e mbushur me kanabis. Kështu ka qenë për dekada të tëra.
Bima që në gjuhën arabe njihet me emrin “hashish”, e mban gjallë një shtet të futur në krizë të thellë ekonomike.
Në muajin prill, parlamenti libanez miratoi një draft ligj që legalizon kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial.
Ani pse ligji ende nuk ka marrë formë, bimët vazhdojnë të jenë ilegale për përdorime personale.
Fushat janë mbjellë me një lloj të ri të kanabisit i sjellë nga jashtë dhe është në fazë testuese për të parë nëse moti dhe uji janë të përshtatshme për të.
Ligji ka krijuar huti te fermerët që dëshirojnë kultivimin e bimës për të ngjallur ekonominë e shtetit të Libanit që në muajin gusht u trondit nga shpërthimi i fuqishëm në portin e Bejrutit.
George Fahri, zyrtar për agrikulturë në Fushën e Bekas në Liban, thotë se kultivimi i kanabisit pritet të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të shtetit.
“E kemi kultivuar në 60 vjetët e fundit që prej stërgjyshërve. Këtë e shohim si shpresë për njerëzit që ia kanë mësyrë kryeqytetit për një jetë më të mirë dhe kanë braktisur këto toka”.
Kompania që mbikëqyr kultivimin e kanabisit, ka vlerësuar se legalizimi i kësaj bime mund të rezultojë me miliarda dollarë fitime për Libanin.
“Njerëzit po vuajnë nga kriza financiare dhe varfëria e madhe. Legalizimi i kësaj agrikulture do të krijojë vende të reja pune dhe do të sjellë para nëse eksportohet jashtë. Çdo vit mund të fitohen nga 1 miliard dollarë nga shitja e kanabisit”.
Që prej vitit të kaluar, papunësia është ngritur dhe varfëria është thelluar.
Monedha libaneze ka humbur më shumë se 80 për qind të vlerës së saj karshi dollarit.
Gjendjen e ka bërë edhe më të mjerueshme shpërthimi në portin e Bejrutit.
Për rimëkëmbjen e kryeqytetit duhen 15 miliardë dollarë.