Tranzicioni demografik, me lëvizje të brendshme të popullsisë dhe emigracion të lartë ka bërë që disa qytete shqiptare të renditen ndër të parat në Evropë për rënien e popullsisë së tyre.
Në një botim të posaçëm për statistikat e rajoneve, Eurostat renditi qytetet e Gjirokastrës, Beratit, Dibrës dhe Kukësit, ku rënia e popullsisë ishte nga më të lartat në Evropë në vitin 2017, me mbi 20 banorë për 1000 banorë.
Gjatë vitit 2017, një shumicë prej 765 e rajonesh në BE raportoi rritje të banorëve, ndërsa tetë rajone nuk kishin asnjë ndryshim në popullsinë e tyre.
Në hartën bashkëngjitur hija e errët me ngjyrë blu tregon se, ato rajone kishin një normë rritje të popullsisë me të paktën 12 për 1000 banorë. Në Shqipëri Eurostat ka përcaktuar me ngjyrë blu rajonet e Tiranës dhe Shkodrës, ndërsa rajonet e tjera janë skajin tjetër, rënia e popullsisë është nga më të lartat.
Rritja më e lartë e popullsisë më 2017 u regjistrua në ishullin lindor të Egjeut, në rajonet Ikaria, Samos me mbi 60 për 1000 banorë). Norma të larta regjistruan rajonet më të largëta franceze të Mayotte dhe Guyane dhe ishulli mesdhetar jugor i Maltës; Fuerteventura në ishujt Kanarie (Spanjë).
Në krahun tjetër janë 16 rajone, ku popullsia ka rënë me më shumë se 20 për 1 000 banorë në 2017. Eurostat ka gjetur se rënien më të madhe të popullsisë e patën vendet në Europës Lindore dhe vendet anëtare të Balltikut.
Ulja më e madhe e popullsisë ishte në rajonin më lindor kroat të Vukovarsko-srijemska županija (-42.0 për 1 000 banorë. Eurostat raportoi se ka pasuar një rënie tejet të lartë në popullatën e rajonit verilindor turk të Bayburt si dhe ulje mbi 20.0 për 1000 banorë në katër prefektura shqiptare Gjirokastër, Dibër, Berat dhe Kukës.
Popullsia e Shqipërisë është duke e reduktuar me ritme të shpejta për shkak të rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2019, shtesa natyrore që mat diferencën midis lindjeve dhe vdekjeve, ishte vetëm 6624 persona. Një vit më parë, shtesa natyrore ishte 7130 persona, ndërsa në vitin 1990, shtesa natyrore ishte 64 mijë persona në vit, ose gati 12 herë më e lartë se në vitin 2019.
Në vitin 1990 kishim 82 mijë lindje kundrejt 28 mijë lindje në vitin 2019, ose gati tre herë më pak.
Në vitin 1990 kishim 18 mijë vdekje në vit, ndërsa në vitin 2019 janë shënuar mbi 22 mijë vdekje në vit, kjo për shkak edhe të plakjes së popullsisë, duke pësuar një rritje me 20% në raport me vitin 1990.
Gjatë vitit 2019 kanë lindur 28.561 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,3%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve, në vitin 2019 ishte 21.937 persona, duke shënuar një rritje me 0,6%.krahasuar me një vit më parë./Monitor/