Autoritetet kufitare të Bjellorusisë thanë se Maria Kolesnikova, një ndër anëtaret kryesore të opozitës, u arrestua të martën në mëngjes kur do të kalonte për në Ukrainën fqinje.
Zyrtarët thanë se zonja Kolesnikova po udhëtonte me dy anëtarë të tjerë të opozitës, Anton Rodnenkov dhe Ivan Kravtsov, të cilët përfundimisht hynë në Ukrainë.
Rrethanat se si grupi i opozitarëve u ndodh në kufi nuk janë ende të qarta.
Agjencia e lajmeve Interfax për Ukrainën tha se veprimtarja kishte grisur qëllimisht pasaportën në mënyrë që zyrtarët ukrainas të kufirit të mos ishin në gjendje ta lejonin të kalonte.
Zëvendës Ministri i Brendshëm i Ukrainës Anton Gerashchenko tha se zonja Kolesnikova, e cila ishte zhdukur gjatë 24 orëve të mëparshme, kishte penguar me sukses “një dëbim me forcë nga vendi i saj”.
Menjëherë pas incidentit, Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko u tha gazetarëve rusë se ai nuk do ta përjashtonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas katër javë protestash të mëdha, por refuzoi çdo bisedim me kundërshtarët, që ai tha se po e çonin vendin drejt katastrofës.
Fati i zonjës Kolesnikova, një figurë kryesore gjatë protestave, kishte mbetur mister që kur mbështetësit e saj thanë se ajo ishte rrëmbyer në rrugë nga njerëz të maskuar në kryeqytetin Minsk të hënën.
“Maria Kolesnikova bëri një veprim të guximshëm që nuk lejoi shërbimet speciale bjelloruse ta dëbonin atë për në territorin e Ukrainës,” tha zoti Gerashchenko për agjencinë Reuters. “Të gjithë përgjegjësinë për jetën dhe shëndetin e saj e mban Aleksandër Lukashenko, diktatori i Bjellorusisë,” tha ai.
Vendndodhja e zonjës Kolesnikova është e paqartë.
Dy figura të tjera të opozitës që rezultonin të zhdukur në të njëjtën kohë me të, Anton Rodnenkov dhe Ivan Kravtsov, megjithatë hynë në Ukrainë në orët e para të mëngjesit të së martës, tha shërbimi kufitar ukrainas.
Dje, Gjermania dhe Britania bënë thirrje që Presidenti Lukashenko të tregonte vendndodhjen e zonjës Kolesnikova, pas njoftimeve se ajo ishte rrëmbyer nga njerëz të paidentifikuar në kryeqytetin Minsk.
Zonja Kolesnikova ishte e fundit nga tre gratë opozitare të mbetura në Bjellorusi, që u bashkuan në këshillin koordinues të opozitës, në përpjekje për të mposhtur Presidentin Lukashenko në zgjedhjet e 9 gushtit.
Ai u shpall fitues, por partitë e opozitës, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, thanë se zgjedhjet ishin të manipuluara.