Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi u është përgjigjur kundërshtarëve politik ku thotë se për ta ka vetëm përçmimi dhe neveri.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Patozi ka falenderuar shqiptarët që e kanë mbështetur që brenda 3 ditësh nënshkruan për krijimin e partisë Bindja Demokratike.
Statusi i plotë i Patozit në Instagram:
“BASHKË E NISËM, BASHKË DO TË FITOJMË
(Një falenderim i pamjaftueshëm për themeluesit e BINDJES DEMOKRATIKE)
Mirënjohje dhe falenderime pafund për ju mijëra shqiptarë të lirë, që brenda 3 ditësh nënshkruat me shumë dëshirë për krijimin e BINDJES DEMOKRATIKE.
Duhet të ndjeheni gjithmonë krenarë se keni bërë gjënë e duhur për Shqipërinë për t’i dhënë jetë një projekti të bukur politik, i cili do ta ndryshojë shumë shpejt për mirë atë.
Përçmim dhe neveri për te gjithë ata, që u përpoqën pa sukses për të bërë pis vullnetin tuaj, duke shpikur një gjueti të pashembullt shtrigash me akuza të fabrikuara dhe me falsifikime në çdo cep të Shqipërisë. Edhe vrasësit apo trafikantët e drogës nuk janë përndjekur në këtë vend ashtu si ju këto ditë, dhe kjo e bën më të mjerë pozitën e atyre që e urdhëruan këtë poshtërsi morale, politike dhe njerëzore.
Koha po tregon dhe do të vijojë ta tregojë se ju ishin në krahun e duhur të historisë, kurse atyre që u përpoqën më kot të përdhosin dëshirën tuaj të dlirë për ndryshim do t’u ngelet vetëm turpi për atë akt të pashembullt dhe tinzar pabesie.
BINDJA DEMOKRATIKE do t’ju ngelet ju përherë në borxh, duke u zotuar solemnisht se nuk do të luajë kurrë me shpresën dhe besimin tuaj.
Do ju konsideruar si themeluesit e saj të parë, ne angazhohemi sot se do të bëjmë gjithçka që shumë shpejt të tregohet se mundimi dhe sakrifica juaj ia ka vlejtur.
Ne do të tregojmë, qysh në këto zgjedhje, se nuk ishte aspak rastësi, që ju u përgjigjët aq shpejt për t’i dhënë jetë një projekti të pastër politik për Shqipërinë, i cili i ka tronditur kaq fort gardianët e sistemit të kalbur, që ende janë duke kërkuar qenin e ngordhur tek fletët e firmave tuaja të hedhura me gjithë zemër nga e gjithë Shqipëria.
Falë jush, BINDJA DEMOKRATIKE ka arritur që brenda shumë pak ditësh të shndërrohet në referencën e vetme të shpresës dhe ndryshimit në Shqipëri.
Ju faleminderit nga zemra të gjithëve! Bashkë e nisëm, bashkë do ta vazhdojmë dhe bashkë do ta përfundojmë këtë ëndërr fantastike.”
Top Channel