Avokatja Amal Clooney dha dorëheqjen nga roli i saj si e dërguara speciale e Britanisë së Madhe për lirinë e shtypit, duke e konsideruar për të ardhur keq vullnetin e qeverisë britanike për të ndryshuar marrëveshjen e largimit nga Bashkimi Europian.
“Është bërë e pamundur për mua, si një e dërguar speciale, t’u bëj thirrje shteteve të tjera të respektojnë dhe zbatojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare, ndërkohë që Britania e Madhe deklaron se nuk ka ndërmend ta bëjë këtë”, tha ajo në letrën e saj të dorëheqjes drejtuar kreut të diplomacisë, Dominic Raab.
Avokatja libanezo-britanike, e specializuar në të drejtat e njeriut, e cila është bashkëshortja e yllit të Hollivudit, George Clooney, u emërua në vitin 2019 për rolin që ajo e përshkroi si ndihmesë në mbrojtjen e lirisë së shtypit në të gjithë botën.




