Më shumë se një mijë persona u mblodhën të shtunën në pjesën qendrore të Londrës për të protestuar kundër masave që janë marrë për luftimin e përhapjes së koronavirusit. Policia ndërhyri dhe i shpërndau protestuesit.
Gjatë kësaj proteste u arrestuan 32 persona. Tubimi për shprehjen e pakënaqësisë u mbajt në kohën kur kryeministri Boris Johnson po e shqyrton mundësinë e rikthimit të disa masave kufizuese në territorin e Anglisë, shkruan Reuters.
Protestuesit u panë duke mbajtur parulla në të cilat shkruhej “Covid-i është mashtrim” dhe “Trupi im, zgjedhja ime: Jo maska të detyrueshme” si dhe brohoritën “Zgjedheni anën tuaj” para policisë.
Policia tha se protestuesit u urdhëruan të largohen nga Sheshi “Trafalgar” me arsyetimin se protesta po i rrezikonte pjesëmarrësit dhe njerëzit e tjerë.
Sipas ligjeve të miratuara për ngadalësimin e përhapjes së infeksioneve, njerëzit në Angli nuk kanë të drejtë të mblidhen në grupe më të mëdha se gjashtë persona. Ka përjashtime për tubimet politike, por organizatorët duhet t’i zbatojnë udhëzimet për zvogëlimin e rrezikut nga përhapja e sëmundjes së re.
Organizatorët e protestave të kaluara kundër masave ndaj pandemisë janë gjobitur deri në 10,000 funte.
Disa nga protestuesit gjithashtu e ngritën zërin kundër detyrimit për të marrë vaksina si dhe shprehën mosbesim të përgjithshmën ndaj qeverisë, medieve dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.




