Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “gjatë muajit shtator të këtij viti Shqipërinë e vizituan mbi 400 mijë turistë të huaj”.
Në një intervistë televizive, Klosi tha se “në shtator kemi 65-70 % të numrit të turistëve të vitit 2019. Janë shumë më pak se vjet, por pandemia solli më pak mundësi për të lëvizur dhe i pengoi turistët që të kishim shifrat e vitit të kaluar”.
“Gjatë periudhës 15 korrik -15 shtator hotelet e bregdetit shqiptar ishin 100% të rezervuara. Ne ia dolëm të krijonim një aleancë, e cila i mbajti të hapura industritë, pasi asnjë sektor nuk u mbyll. Kjo bëri që në datën 1 qershor, ne ishim të parët dhe të vetmit në rajon që hapëm kufijtë dhe për asnjë moment nuk ceduam për sa i përket kufirit. Kjo bëri që të kishim një turizëm të qëndrueshëm. Nuk bëmë si vendet e tjera fqinje. Shqipëria ia doli falë disa marrëveshjeve që bëmë me disa operatorë turistikë”, – nënvizoi Klosi.
Sipas tij, shumica e turistëve ishin nga vendet e rajonit: Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut.
“Në 12 qershor patëm charter-in e parë nga Bjellorusia, fituam një treg të ri që është ai i Bjellorusisë, Ukrainës, Polonisë. Në asnjë ditë nuk ceduam dhe sot kemi shifra të qenësishme”, – tha Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se “strukturat mikpritëse kanë bërë biznes afërsisht sa 2019-a, disa edhe më mirë”.
“Sezoni turistik nuk është mbyllur ende, pasi Shqipëria ka mundësi të ketë 12 muaj turizëm”, tha Klosi.