Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka akuzuar Armeninë për krime lufte të kryera gjatë sulmeve kundër rajoneve të banuara me civilë në Azerbajxhan.
Shefi i diplomacisë turke e ka akuzuar shtetin fqinj gjatë një vizite që i ka bërë të martën kryeqytetit azerbajxhanas, Baku.
Ai ka hedhur poshtë thirrjet për armëpushim dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të përkrahë Azerbajxhanin. Turqia vlerëson se armëpushimi ka dështuar t’i japë fund pushtimit armen të territorit Nagorno Karabak.
Cavusoglu ka vlerësuar se armëpushimi nuk ka kurrfarë vlere nëse nuk dihet se cili mund të jetë rezultati i tij. Ai është shprehur i bindur se bashkësia ndërkombëtare mund ta nxisë Armeninë që të tërheqë trupat nga rajoni i përfshirë nga luftimet më të ashpra prej viteve nëntëdhjetë.