Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se, është i detyruar ta kthejë Kodin Zgjedhor në Kuvend teksa cilësoi si ordinere marrëveshjen e 5 qershorit.
I pyetur në një intervistë televizive nëse do ta kthejë votimin e Kodit nga Parlamenti, Meta tha se, “unë, me thënë të drejtën nuk do të doja ta ktheja mbrapsht, më duket si një veprim burokratik që, ktheje dhe ata e votojnë prapë. Mua më duket si veprim burokratik, pse ta ktheje unë kot! Kur ata, e kanë ndarë mendjen që duan ta bëjnë këtë gjë në kundërshtim me të gjitha normat e OSBE-së, ODIHR-it, të Venecias, të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian. Unë, tani jam i detyruar, pse do thoni ju? Sepse menjëherë pasi ata votuan këtë marrëzi, këtë çmenduri, pati një reagim nga Partia Popullore Europiane, që është partia kryesore e kontinentin tonë, e Bashkimit Europian dhe që udhëheq Bashkimin Europian. Partia Popullore Europiane tha: I bëjmë thirrje ku është një akt që pengon qartë integrimin evropian të Shqipërisë, kalimi i njëanshëm në këtë mënyrë, i bëjmë thirrje Presidentit t’i kthejë ligjin mbrapsht, i bëjmë thirrje kryeministrit dhe mazhorancës të reflektojnë. Unë në këto kushte jam i detyruar”, theksoi Meta.
Meta e cilësoi si ordinere marrëveshjen e 5 qershorit të arritur mes palëve politike.
“Ajo është një marrëveshje ordinere. Në thelb ajo është ordinere. Ajo u përshëndet nga Komisioneri për Zgjerim që ishte dje këtu, u përshëndet nga Budestagu, nivelet më të larta, u përshëndet nga Borreli, u përshëndet nga Sekretari Amerikan i Shtetit që ka 5 mijë halle, nga të gjithë. Po çfarë ishte ajo. S’ishte ndonjë gjë. Ishte që do bëjmë zgjedhje të barabarta. Të bësh zgjedhje të barabarta është një normë elementare. Edhe për Kirgistanin e pe Kirgistanin se çfarë bëri. Edhe Kirgistani që është në orbitën lindore, vendosi me dinjitet. Po ne, ne jemi vend i NATO-s, vend që duam të hyjmë në BE. Çdo të thotë kjo? Ne jemi një vend anëtar i NATO-s prej më shumë se një dekade, një vend që duam të çelim negociatat me BE dhe ne, pas 30 vjetësh del një i marrë, apo disa të marrë, edhe thonë jo ne jemi mazhoranca që do të jetë përjetësisht mazhorancë. Në 30 vjet, në këtë vend ka një parim demokratik që e ka OSBE, që je shumicë, por kur vjen puna tek zgjedhjet jemi njësoj edhe ti që je shumicë edhe unë që jam pakicë. Sepse zgjedhjet e vendosin nëse ti je prapë shumicë apo do të kalosh në pakicë. Po shumicë e përhershme këtë e kishim 50 vjet. S’kishte nevojë as për zgjedhje, as për Kod as për asgjë”, tha Meta.