Ushtria e Koresë së Jugut theksoi se autoritetet e Koresë së Veriut kishin organizuar një paradë të madhe ushtarake, për të shënuar 75- vjetorin e Partisë së Punëtorëve në pushtet.
”Parada, e cila u vëzhgua gjithashtu nga shërbimet e inteligjencës amerikane, u zhvillua në mëngjes në sheshin Kim Il Sung”, theksoi Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut.
Koreja e Veriut pritej të mbante një veprimtari të madhe për të shënuar përvjetorin e themelimit të partisë, megjithëse asnjë gjë nuk u njoftua publikisht.
Përgatitjet ishin vërejtur javët e fundit.
Ka pasur gjithashtu spekulime se Pheniani do të zbulojë një raketë të re ndërkontinentale.
Që nga një samit i dështuar me presidentin e SHBA Donald Trump, në Vietnam, në shkurt 2019, bisedimet mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut kanë ngecur.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un u zotua në fund të vitit 2019 të zbulojë një “armë strategjike” të re.