10 punonjësit e uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh kanë hyrë në ditën e 14 të grevës së urisë.
Gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar së tepërmi por nga qeveria nuk ka asnjë reagim edhe pse dita e djeshme u shoqërua me një protestë masive ku naftëtarë dhe qytetarë marshuan në rrugët e qytetit.
Dy prej grevistëve Kasëm Sardi dhe Enrik Islam janë shoqëruar mëngjesin e sotëm në spital.
Ata kishin shfaqur probleme që mbrëmjen e të shtunës por kishin refuzuar ndihmën mjekësore.
Pas tyre edhe një tjetër grevist është nisur drejt spitalit.
Probleme me tensionin ka shfaqur edhe kreu i shoqatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, por nuk pranon të marrë ndihmën e mjekëve.
Pavarësisht kësaj, grevistët thonë se janë të vendosur për të vazhduar grevën e urisë.
“Gjendja e grevistëve është shumë e rënduar, para një ore kemi nisur në spital tre kolegë që ishin rëndë. Vetë kam pasur shqetëesime me zemrën, rrahje të shpeshta. Më erdhi mjekimi nga familja dhe tani jam më mirë. Shokët janë shumë rëndë, me temperaturë, marrje mendsh dhe dhimbje koke, nuk ngrihen dot. Grevën do ta vazhdojmë deri në fund!”, deklaroi njëri nga grevistë duke folur për gazetarët pas kangjellave të hekurit.
Të hënën do të ketë një tjetër protestë, ndërsa u deklarua se nëse nuk gjendet zgjidhje do të heqin fëmijët nga shkolla e do të marshojnë drejt sheshit përpara Bashkisë, duke bllokuar institucionin dhe rrugën kryesore.