Në rrugën afër një krateri prej tetë metrash thellësi të shkaktuar nga plasja e një rakete me rreze të mesme veprimi, Sergei Hovnnesyan dhe tre fqinjët e tij po turren të fshihen në bodrumin e dyqanit ushqimor në Stepanakert, qytezë malore në zemër të territorit Nagorno-Karabah, për të cilin kanë pretendime Armenia dhe Azerbajxhani, shkruan “Guardian”.
Në intervale qetësie ndërmjet bombardimeve dhe granatimeve, pleqtë ngjiten shkallëve dhe mundohen të kalojnë pak minuta në rajonin e rrethuar derisa dy ish-republikat sovjetike përsëri kanë plasur luftën.
Mobilizimi i diasporës
Rreth 70 mijë armenë në Nagorno-Karabah janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të raketave dhe sulmeve me dronë nga ushtria azere, që duket se po qëllon lagjet e banorëve të pafajshëm, edhe pse pretendon po shënjestron infrastrukturat dhe bazat ushtarake armene. Ata që kanë ndarë mendjen të mos lëshojnë pragun e derës – e që janë kryesisht pleq si puna e Sergeit dhe miqve të tij – thonë se më mirë do të vdesin se të largohen në drejtim të Azerbajxhanit. Ata i dëgjojnë lajmet më të reja nëpërmjet radiostacioneve, apo edhe nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme të internetit – nëse kanë pajisjet mjaftueshëm të sofistikuara. Megjithatë dioqeza ende po i mban shërbesat fetare. Në kishë po ndizen qirinj dhe po bëhen lutje.
Kur sirenat ajrore paralajmërojnë se bombarduesit azerë kalojnë në hapësirën ajrore armene, banorët i kanë rreth tre minuta për t’u arratisur. Nganjëherë, kur nuk punojnë sistemet ruse të mbrojtjes, nuk ka kurrfarë alarmi.
Diaspora e madhe e Armenisë është mobilizuar për ta ndihmuar vendin e vogël në luftën kundër Azerbajxhanit, me vullnetarë nga Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Libani që po arrijnë në terren. Në vitet nëntëdhjetë u ishin bashkuar edhe mercenarët rusë, osetë dhe sllavë, përderisa Bakuja ndihmohej nga grupi turk i së djathtës ekstreme turke, Ujqit e Murrmë, por edhe nga burra nga Çeçenia dhe Afganistani.
Dy burrat dhe një grua – një infermiere në pension – në bodrumin e dyqanit ushqimor tashmë kanë bërë punën e tyre në mbrojtjes të asaj që e quajnë Artsakh, fjala armene për republikën de fakto të Armenisë brenda kufijve të Azerbajxhanit. Ata mendojnë se kontributin e kanë dhënë kaherë.