Kosova do të përballet me Shqipërinë në një ndeshje miqësore në fillim të muajit nëntor, ka konfirmuar Federata e Futbollit e Kosovës.
UEFA e paralajmëroi në uebsajtin e vet dje se Kombëtarja e Kosovës do të përballej me Kombëtaren motër më 11 nëntor në Elbasan, raporton Gazeta Express.
Kjo është konfirmuar sot edhe nga FFK-ja, e cila ka bërë të ditur se është arritur ujdi me Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë ndeshje vëllazërore.
Shqipëria duhej të luante me Gjibraltarin në këtë orar, por ndeshja u anulua shkaku i pandemisë koronavirus.
Kosova e ka shfrytëzuar mundësinë për të luajtur ndeshje miqësore me kuqezinjtë duke qenë se është e detyruar t’i zhvillojë tri ndeshje në nëntor.
“Kombëtarja e Kosovës më 11 nëntor do të zhvillojë ndeshje miqësore me Kombëtaren e Shqipërisë. Marrëveshja ndërmjet dy federatave tashmë është arritur, derisa detajet e tjera do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, konfirmoi FFK-ja.
Që prej pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA, dardanët janë takuar me Shqipërinë vetëm një herë, në një ndeshje miqësore që e fitoi Kosova 3:0.
Ende nuk është caktuar ora e ndeshjes dhe detaje të tjera.
Ndërkohë, Kosova dhe Shqipëria do të jetë në zëna me ndeshje në Ligën e Kombeve më vonë atë muaj.
Dardanët më 15 nëntor do të jenë mysafirë të Sllovenisë, derisa më 18 nëntor do të jenë mikpritës të Moldavisë.
Ndërkaq, kuqezinjtë më 15 nëntor do të luajnë ndaj Kazakistanit dhe më 18 nëntor ndaj Bjellorusisë.