Eurodeputet i grupimit të partisë popullore europiane, Michael Gahler, i ka bërë apel kryeministrit Edi Rama të presë dhe ndjekë opinionin e Venecias. Nxitimi i njëanshëm u shpreh eurodeputeti, do të shtyjë procesin e integrimit. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë, tha ai.
Erisa Zykaj: Pas aprovimit të rekomandimeve të Tonino Picula mbi zgjerimin, a i përmbahet Parlamenti Europian plotësimit të 15 kushteve para konferencës së pare ndërqeveritare me Shqipërinë ?
Michael Gahler, eurodeputet gjerman, EPP
Siç është përmendur në raportin tonë dhe referuar konkluzioneve të Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian të 25 marsit, ne kemi renditur qartë 15 kushte. Ne nuk kemi arsye, që të heqim dorë nga këto kushte, por presim përmbushjen e tyre. Disa prej kushteve duhet të plotësohen tërësisht, disa të tjera duhet së paku të fillojnë të zbatohen. Procesi i reformave në disa fusha duhet së paku të ketë filluar. Mendoj, se nuk është një koinçidencë që reforma elektorale është e para në listën e konkluzioneve të Këshillit të ministrave dhe gjithashtu edhe për Parlamentin Europian dhe kjo duhet të vendoset me një konsensus të gjerë.
Erisa Zykaj: Si e vlerësoni raportin e progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë? A përbëjnë ndryshimet e njëanshme të kodit zgjedhor nga qeveria shqiptare dhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese pengesa reale për miratimin nga shtetet anëtare të kornizës negociuese për Shqipërinë?
Michael Gahler, eurodeputet gjerman, EPP
Përshtypja ime është që ka një shqetësim shumë të madh lidhur me ndryshimet kushtetuese në kodin elektoral. Do të thoja, që ne kemi përpara një shans të fundit për këtë. Pas refuzimit nga presidenti Meta të draftit të ndryshimeve në kodin zgjedhor, presidenti e ktheu mbrapsht dhe kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias. Kjo bën pjesë te praktikat e mira e mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe vende të tjera, ku Komisioni i Venecias njihet për kontributin e vlefshëm dhe udhëzimet e tij. Duhet të pritet opinioni i Komisionit të Venecias dhe jo të nxitohet në mënyrë unilaterale.
Erisa Zykaj: Në 5 tetor, ju keni bëtë një deklaratë në Twitter, duke thënë që përmes ndryshimeve të njëanshme, kryeministri Edi Rama po pengon perspektivën europiane të vendit dhe kjo mund të shtyjë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.
Michael Gahler, eurodeputet gjerman, EPP
“Po, ky është shqetësimi ynë. Ju e dini, që opinioni publik në Bashkimin Europian nuk është aq i favorshëm për zgjerimin e kësaj organizate në përgjithësi. Kur bëhet fjalë për ne si parti popullore europiane dhe shumicën e grupimeve politike në Bashkimin Europian, ne duam që të ecim përpara me zgjerimin. Por kjo duhet të mbështetet nga vetë shtetet aspirante. Shpresoj, që pengesa e fundit që ka Maqedonia e Veriut të kapërcehet në kohë, në mënyrë që të fillojmë negociatat e anëtarësimit. Shpresoj, që çështja e reformës elektorale në Shqipëri që është një çështje e ndjeshme dhe që kërkon konsensus në çdo vend, të zgjidhet. Mundësia që krijohet për të pasur opinionin e Komisionit të Venecias duhet përdorur sa më mirë të jetë e mundur. Nëse gjërat bëhen me nxitim, kjo do të shtyjë të gjithë procesin. Qytetarët e Shqipërisë nuk e meritojnë këtë”.
Erisa Zykaj: Aktualisht, në draftin e presidencës gjermane lidhur me kuadrin negociues për Shqipërinë, mirëpritet aprovimi i reformës elektorale të 5 qershorit, por kërkohet që të vazhdojë dialogu politik mbi reformën, si dhe zbatimi i reformës, duke përfshirë këtu edhe financimin e partive. A do tê thotë kjo që duhen pritur zgjedhjet e pêrgjithshme tê prillit të 2021 për të parë zbatimin e reformës ?
Michael Gahler, eurodeputet gjerman, EPP
“Zbatimi i reformës bëhet përmes respektimit të ligjit dhe respektimit të dakortësisë mbi reformën. Nëse prishet konsensusi që u arrit në qershor për reformën zgjedhore gjatë zbatimit të saj, atëherë këtu ngrihen dyshime në shtetet anêtare, por edhe në Parlamentin Europian. Ne dëshirojmë, që të pritet dhe të ndiqet opinioni i Komisionit të Venecias. Kjo klimë politike armiqësore nuk i shërben aspak vendit për avancimin e tij në rrugën europiane. Nuk ka rêndësi se kush fillon armiqêsitë, kush vepron dhe kush reagon. Opinioni ynë publik do informohet pêr situatën dhe do thotë: “Ua, a është ky një vend që ne dëshirojmë që ta mirëspresim në gjirin tonë? Ne duam që Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit të jenë në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE. Por duhen dy partnerë për të kërcyer tangon, Për Shqipërinë, ne ju referuam në fillim 15 kushteve, prej të cilave së paku një kusht duhet të kishte filluar të zbatohej. Kjo nuk është vetëm në kuadrin e kushtêzimit të Këshillit të ministrave, por për t’u anëtarësuar në BE.”
Erisa Zykaj :Ka një paqartësi lidhur me kushtëzimin për Shqipërinë. Komisioni Europian thote ka 6 kushte para hapjes zyrtare të negociatave, Parlamenti Europian thotë 15 kushte dhe Këshilli i ministrave grupon po ashtu kushtet bashkë. Në mendimin tuaj, a duhen plotêsuar 6 apo 15 kushte për hapjen zyrtare të negociatave ?
Michael Gahler, eurodeputet gjerman, EPP
“Të paktën të plotësohen 6 të parat. Ato duhet patjetër të plotësohen dhe aty përfshihet reforma elaktorale. Ne nuk e kemi përpiluar këtë listë për t’u zbavitur. E kemi shumë seriozisht zbatimin e tyre. Në gjirin e 15 kushteve, gjashtë të parat janë kyçe, ndërkohë që për të tjerat kërkohet fillimi i zbatimit të tyre, jo zbatimi i plotë. Panorama politike në vendet apsirante apo vendet tona nuk është asnjëherë bardh e zi dhe nuk është se njëra palë ka të drejtë dhe tjetra gabohet, ata që janë në qeveri këtë rradhë, do jenë në opozitë më pas dhe anasjelltas. Forcat politike duhet të jenë të bashkuara për integrimin europian, me një platformë, qëllim, angazhim dhe destinacion të pêrbashkët. Qytetarët presin këtë. Nëse qasja e forcave politike përqëndrohet mbi betejat politike, avantazhet e momentit, kjo nuk është rruga e duhur për t’ia arritur. Në të gjitha vendet, është qeveria që është interlokutorja, ajo që është pêrgjegjêse për trajtimin e çështjeve,për zgjidhjen e tyre dhe për adresimin e kërkesave. Ne i bëjmë apel kryeministrit që të lerë gjërat në rrjedhën e tyre dhe kjo përfshin detyrimisht pritjen për opinionin e Komisionit të Venecias”.
Erisa Zykaj: Kohët e fundit, më shumë se tre shtete anëtare kanë theksuar rëndësinë e krijimit të një gjurme provash solide në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sa të rëndësishme janë këto çështje për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë?
Michael Gahler, eurodeputet gjerman, EPP
“ Nuk është se kjo qasje nuk bazohet në fakte. Ne jemi dëshmitarë që vendi po kthehet në një farë mase në një qendër për shpërndarjen e drogës, por gjithashtu edhe të prodhimit të saj. Eshtë në interesin e vetë vendit, që të provojë me evidencë, që po lufton kundër të gjitha këtyre fenomeneve dhe që shqetësimet e shteteve anëtare për këtë po trajtohen. Lidhjet e caktuara me këto rrjete bëhen të njohura sapo ato ndodhin. Nuk është diçka e vogël, është një shqetësim i vërtetë dhe duhet trajtuar me forcë, me seriozitet dhe përmes rezultateve konkrete”.