Rikufizimi në Angli, që mund të rizhysë vendin në recesion, është vërtet shkatërrues për ekonominë britanike, tashmë e gjunjëzuar për shkak të pandemisë, theksoi sot organizata CBI.
Drejtoresha e përgjithshme Carolyn Fairbairn, që po përgatitet të lërë postin e e saj, u tregua e shqetësuar në hapje të konferencës së përvitshme të CBI.
Kjo konferencë e madhe e bizneseve zhvillohet në internet këtë vit dhe filloi disa ditë para hyrjes në fuqi të një kufizimi të ri në vend, i destinuar për të parandaluar përhapjen e shpejtë të virusit.
Fairbairn shprehu publikisht keqardhje për mungesën e kryeministrit konservator, Boris Johnson marrëdhëniet e të cilit me botën e biznesit janë të stuhishme, ndërkohë që ai do të shprehet gjatë mesditës në Parlament.
“Është për të ardhur keq që kryeministri të mos na bashkohet. Shpresojmë që ta dëgjojmë deri në fund të konferencës, e cila zgjat tre ditë”, sipas saj.
Presidenti i CBI, Karan Bilimoria madje e bëri të qartë të hënën në radio BBC 4 se ka ndodhur vetëm një herë më parë në historinë e organizatës së punëdhënësve që kreu i qeverisë nuk merr pjesë në konferenca e saj vjetore.
Sidoqoftë, CBI vlerësoi se kompanitë ishin “më të përgatitura” për këtë kufizim të ri dhe se shumë prej tyre do të jenë në gjendje të vazhdojnë të veprojnë.
“Ekziston një nevojë për të mbajtur ekonominë sa më të hapur të jetë e mundur”, theksoi Fairbairn.
Kufizimet e reja, veçanërisht mbyllja e bareve, restoranteve dhe bizneseve jo thelbësore të paktën deri në fillim të dhjetorit, vijnë në momentin më të keq për botën e biznesit, veçanërisht në shpërndarje, ku dy muajt e fundit të vitit janë zakonisht më të ngarkuarit, me “Black Friday” dhe më pas Krishtlindjet.