Kur po mbushën një vit nga tërmeti i 26 nëntorit Prokuroria e Tiranës nuk i ka përfunduar ende hetimet për inxhinierët, ndërtuesit dhe funksionarët vendor të akuzuar për dëmet që shkaktoi fatkeqësia natyrore. Mësohet se për dy inxhinierë të akuzuar për shpërdorim detyre dosja është pushuar pasi vepra penalë është parashkruar ndërsa për 40 te tjerë hetimet vijojne në pritje të analizave për cilësinë e hekurit dhe të betonit të përdorur në objektet e shembura.
Ekspertizat për cilësinë e hekurit dhe të betonit po vonojnë hetimet e Prokurorisë së Tiranës në lidhje me objektet e dëmtuara një vit më parë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Pas dëmtimit të pallateve dhe ndërtesave private në kryeqytet prokuroria nxori 42 urdhër-arreste kryesisht për inxhinierë dhe pronarë e administratorë të kompanive të ndërtimit që kishin kryer punimet.
Mes të akzuarve ishin edhe kryetarë Bashkish të konsideruar përgjegjës për dëmtimin e objekteve si pasojë e shkeljes së rregullave teknike.
Por ndonëse kanë kaluar një vit nga nisja e këtij hetimi, mungesa e ekspertëve që nuk kanë konflikt interesi ka bërë që prokuroria të mos ketë ende në dorë nje raport përfundimtar për cilësinë e hekurit dhe betonit te përdorur në objekte.
Angazhimi i ekspertëve të fushës në projekte ndërtuese e bëri të vështirë punën e prokurorisë në gjetjen e specialistëve që nuk kishin lidhje me personat e dyshuar duke vonuar procesin me mbi një vit.
Vetëm për dy inxhinierë mësohet se çështja ka pushuar pasi vepra penale e shpërdorimit të detyrës për të cilët janë akuzuar është parashkruar.
Hetimet që çuan në arrestime të disa muajve me parë u fokusuan në analizimin e të gjitha dosjeve të objekteve të shpallura të pabanueshme në Tiranë.
Prokurorët janë shprehur se kanë konstatuar shkelje të rënda si projekte të ndryshuara, mungesë dokumentacioni në raportet sizmiologjike, mungesë të cilësisë së materialeve ndërtimore si hekur e beton si dhe shumë dokumente të cilat nuk korrespondojnë me lejet e dhëna.
Të proceduar janë ish-zyrtarë vendorë, inspektorë ndërtimi, arkitektë, inxhinierë dhe ndërtues në disa komuna të Tiranës, Farkë, Kashar dhe bashkinë Vorë.
Mes të proceduarve janë janë edhe ish-kryekomunari i Farkës, Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit, Besnik Fuçia.
Ata dyshohen të kenë favorizuar ndërtime jashtë kritereve apo lejeve të lëshuara, për ndërtime të një cilësie të dobët, duke ndërhyrë në strukturë me hollimin e bazamenteve mbajtëse të tyre./Ora News/