Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të paraqitet për herë të parë në Gjykatën Speciale të hënën.
Seanca dëgjimore ndaj tij do të fillojë nga ora 11:00.
Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë. Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale, kanë njoftuar nga Dhomat e Specializuara.
Aktakuzat nga Specialja i janë konfirmuar edhe Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, megjithëse për këta të tre ende nuk dihet se kur do të mbahen seancat.